Tajvani do të jetë pjesë e Kinës qoftë edhe me forcë. Është ky paralajmërimi i Ministrit të Mbrojtjes së Kinës, Dong Jun, gjatë një konference në Singapor. Sipas zyrtarit të lartë të Kinës, perspektiva e “ribashkimit” paqësor e Kinës me Tajvanin po gërryhet nga separatistët e Tajvanit, por edhe nga forcat e Jashtme të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në marrëdhëniet midis dy vendeve.
“Perspektiva e ribashkimit paqësor me Tajvanin po gërryhet gjithnjë e më shumë nga separatistët tajvanezë dhe forcat e jashtme. Për Tajvanin ne mbetemi të përkushtuar ndaj bashkimit paqësor.
Ushtria Popullore Çlirimtare Kineze ka qenë gjithmonë një forcë e pathyeshme dhe e fuqishme në mbrojtjen e bashkimit të atdheut”, tha Dong Jun, ministri i Mbrojtjes së Kinës.
Kina e sheh Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike si territorin e saj, ndërsa në disa raste ka organizuar stërvitje të rrezikshme luftarake rreth ishullit si kundërpërgjigje ndaj fjalimit të Presidentit të ri të Tajvanit, të cilin Pekini e quan jomiqësor.
“Ne do të ndërmarrim veprime të vendosura për të frenuar pavarësinë e Tajvanit dhe do të sigurohemi që një komplot i tillë të mos ketë kurrë sukses”, tha Ministri i Mbrojtjes së Kinës.
“Ne jemi shumë të sigurt në aftësinë tonë për të penguar pavarësinë e Tajvanit”, tha më tej ai.
Zyra presidenciale e Tajvanit tha se Kina kishte keqinterpretuar pozicionin e qeverisë së Tajvanit në konferencën e Singaporit, ku Tajvanit nuk iu lejua të dërgonte përfaqësues. Presidenti i Tajvanit, ka bërë vazhdimisht oferta për bisedime me Pekinin, por është refuzuar. Ai thotë se vetëm populli i Tajvanit mund të vendosë për të ardhmen e vendit.
/abcnews.al