Paraja jashtë bankave arrin rekordin e 2.8 miliardë eurove në dhjetor, çfarë ndodhi në pandemi

schedule07:22 - 11 Shkurt, 2021

schedule 07:22 - 11 Shkurt, 2021

Në fund të vitit 2020, jashtë sistemit bankar qarkullonin 344 miliardë lekë (2.8 miliardë euro), sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Të dhënat historike tregojnë se në 2020-n, është shënuar rritja më e fortë vjetore, me 53 miliardë lekë, ose +18%, që nga viti 2002, kur Banka e Shqipërisë e raporton këtë tregues.

Në raport me paranë gjithsej, jashtë sistemit bankar qarkullonte në fund të dhjetorit 23.6% e totalit, (nga 22.1% në dhjetor 2019). Ky është niveli më i lartë që nga dhjetori 2008, kur u shënua një valë tërheqjesh të depozitave në atë kohë, si rrjedhojë e frikës së shkaktuar nga kriza financiare globale.

Pasi kishte filluar uljen pas 2009-s, paraja jashtë bankave ka pasur tendencë rritëse që prej vitit 2013 (një tregues indirekt i informalitetit dhe hyrjes së parave të trafiqeve). Por vitin e kaluar rritja ka qenë shumë e fortë, duke përkuar dhe me situatën e shkaktuar në vend nga koronavirusi. Që nga fundi i shkurtit, përpara se të fillonte pandemia ky tregues është rritur me 55 miliardë lekë (450 milionë euro), ose me 19%.

Edhe paraja gjithsej (M3, që përfshin paranë jashtë banke, llogaritë rrjedhëse, depozitat në lekë dhe valutë) është rritur me shpejtësi, me 10%, duke arritur në 1.45 trilionë lekë (11.7 miliardë euro), sërish një nivel rekord dhe zgjerimi më i lartë në gati 20 vjet.

Banka e Shqipërisë ka pohuar se zgjerimi i M3 (parasë gjithsej) vjen nga rritja e kredisë dhe e deficitit buxhetor gjatë 2020. Tek ky i fundit përfshihet dhe eurobondi apo huamarrja e brendshme. Të dhënat e tjera të Ministrisë së Financave bënë të ditur se deficiti buxhetor në rreth 73 miliardë lekë për janar-nëntor 2020, ose 590 milionë euro, duke reflektuar rënien e të ardhurave nga pandemia dhe rritjen e shpenzimeve për paketat mbështetëse dhe rindërtimin pas tërmetit.

Ndërsa në maj 2020, qeveria emetoi një Eurobond prej 650 milionë eurosh, një pjesë e të cilit shleu eurobondin e mëparshëm (rreth 200 mln euro), një pjesë financoi deficitin buxhetor, dhe një pjesë ndodhet në llogaritë e Bankës së Shqipërisë, në pritje për t’u shpenzuar nga financat.

Ndërsa rritja e parasë jashtë bankave, sipas BSH, pjesërisht shkon në linjë me rritjen e M3 dhe pjesërisht shpjegohet me shtimin e preferencës për cash. Një tjetër arsye lidhet me faktin që si pasojë e pandemisë janë kufizuar lëvizjet jashtë vendit, çka ka bërë që paraja të qarkullojë në vend.

Niveli i lartë i parasë jashtë bankave në raport me totalin është dhe një tregues i informalitetit të madh në vend. Të dhëna të tjera të INSTAT tregojnë se transaksionet e pasurive të paluajtshme (shit-blerjet e pronave) shënuan një nivel rekord për 9 muajt e vitit. Aktorët e tregut pohojnë se më shumë se gjysma e këtyre transaksioneve kryhen me para cash. Për 9-mujorin, transaksionet e pasurive të paluajtshme arritën në 76 miliardë lekë (rreth 612 milionë euro), duke shënuar sërish rekord për periudhën në fjalë, që nga viti 2009.

Niveli i parasë jashtë bankave prej gati 24% të totalit është shumë më i lartë se i mesatares se Bashkimit Europian dhe në rajon. Në Eurozonë, sipas të dhënave nga Banka Qendrore Europiane, niveli i parasë jashtë bankave ishte rreth 9% e totalit. Edhe në rajon ky tregues është më i ulët se 10%./monitor/

Burimi: BSH, përpunime të Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!