Në meshën e së dielës në sheshin Shën Pjetër, Papa Françesku ka bërë apel për një angazhim global për shuarjen e zjarreve në pyjet e Amazonës. Ati i shenjtë ka deklaruar se kjo zonë e Brazilit është jetike për ekzistencën e të gjithë planetit.
Ati i shenjtë Papa Françesku e përdori meshën e së dielës për të bërë thirrje për më shumë angazhim global për shuarjen e flakëve që kanë përfshirë Amazonën.
Në mesazhin e tij, Papa ka nënvizuar se zona në fjalë është jetike për shëndetin e planetit. “Jemi të gjithë të shqetësuar për atë që po ndodh në Amazonë.
“Le të lutemi që me angazhimin e të gjithëve flakët të shuhen, pasi kjo mushkëri pyjesh është shumë e rëndësishme për planetin tonë”, ka thënë Papa përpara të pranishëmve.
Deri tani, të paktën 6 shtete të Brazilit kanë kërkuar ndihmën e ushtrisë për të luftuar flakët që kanë kapur përmasa rekord dhe që po shkatërrojnë masivet pyjore, duke shkaktuar indinjatë ndërkombëtare.
Ati i shenjtë, që në vitin 2015 shkroi një dokument të madh për mbrojtjen e ambjentit nga ngrohja globale, shpesh herë ka dalë në mbrojtje të banorëve indigjenë të Amazonës, të pronave dhe të kulturës së tyre, si dhe ka bërë thirrje për reduktimin e përdorimit të karburanteve fosile.
Zjarret masive përkojnë dhe me samitin e grupimit G7, me presidentin e vendit pritës, Emanuel Makron që ka deklaruar se Amazonës i duhet një menaxhim më i mirë për t’i dhënë fund genocidit ambjental që po ndodh atje./ABC News Albania 24/7