Papa Françesku shprehu këtë të martë “shqetësim të thellë” për sulmet në qendrat mjekësore në Kiev dhe në një shkollë në Gaza dhe bëri thirrje për zgjidhje konkrete për t’i dhënë fund luftërave.
“Ati i Shenjtë priti me pikëllim të madh lajmin e sulmeve në dy qendra mjekësore në Kiev, përfshirë spitalin më të madh të fëmijëve në Ukrainë, si dhe sulmin në një shkollë në Gaza. Papa shprehu shqetësimin e thellë për dhunën në rritje. Ndërsa shprehu afërsi me viktimat e pafajshme, ai shpreson dhe lutet që së shpejti të identifikohen mënyra konkrete për t’i dhënë fund konflikteve të vazhdueshme”, thuhet në një deklaratë të Vatikanit.
Sipas raportimeve, Papa apelon pa u lodhur për paqe dhe zgjidhje të negociuara për luftërat në Ukrainë dhe Gaza, si dhe për dërgimin e të dërguarve të Vatikanit në të dy territoret me ndihmë humanitare.
Viktimat në dy spitale në kryeqytetin ukrainas ishin pjesë e një prej ditëve më të përgjakshme që ka përjetuar vendi në 860 ditët e luftës, me të paktën 37 të vdekur dhe 170 të plagosur në Kiev dhe qytete të tjera, thuhet në deklaratë.
16 persona u vranë dhe më shumë se 50 u plagosën në një sulm të forcave izraelite në një shkollë në kampin e refugjatëve Nuseirat të shtunën.
“Dy masakra pa justifikim, përveç propagandës, që i bëjnë jehonë shumë fjalëve të Papës për pakuptimësinë e luftës dhe urgjencën për t’i dhënë fund gjithë kësaj”, përfundon deklarata e Vatikanit./abcnews.al