Pano Soko në “Refleksione”: Nuk dështoi ekonomia e tregut në Shqipëri, por ne ta zbatojmë

schedule20:22 - 20 Maj, 2021

schedule 20:22 - 20 Maj, 2021

Pano Soko, ish-kandidat për deputet i Nismës Thurje për qarkun e Tiranës, por që nuk arriti të fitonte mandatin ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në “Refleksione” në ABC ku foli për ekonominë e tregut dhe gjendjen në Shqipëri.

“Ekonomia e tregut është fatkeqësisht varianti më pak i keq i mundshëm që shoqëria  në këtë stad zhvillimi që jemi sot mund t’i ofrojë vetes. Ka një ndërthurje të pjesës që na takon që të gjithëve dhe pjesës që I takon individit. Nuk është ekonomia e individit, është lexuar gabim. Është ekonomia e tregut. Tregu është një shumësi individësh, tregu jemi të gjithë ne dhe jemi ne që përcaktojmë rregullat, mënyrën se si duhet të funksionojë, kush fiton, kush humbet, kush mbijeton dhe kush vdes nga pikëpamja ekonomike.

Pra është kjo shumësia e individëve  që përcakton kush do të jetë ai që do të nga dënojë në fund fare e kush është modeli që duhet të rrëzohet. E gjitha kjo do të ishte një lojë shumë e bukur nëse ne nuk do të kishim këto ndërhyrje që bëhen nga jashtë të cilat e deformojnë parimin bazë.

Kush është parimi bazë? Shanse të barabarta. Pavarësisht që duket shumë sociale por parimi bazë I ekonomisë së tregut është pikërisht ‘shanset e barabarta’. Të gjithë ne, që të funksionojë  sa më mirë një ekonomi tregu, që të ketë produktivitetin më të madh, do të duhet t’ia nisim nga një start I barabartë me njeri tjetrin. Jo dikush më përpara dhe dikush më mbrapa. Shansi që do të kemi dhe për vazhdimësinë dhe për ecurinë, kur të ecim më përpara duhet t’I kemi  të barabarta sepse çdo deformin që vjen  ndikon në cilësinë e ekonomisë. Çdo deformim që bëhet ndikon në cilësinë e tregut dhe këtë e shohim sot.

Nuk ka dështuar ekonomia e tregut në Shqipëri, kemi dështuar ne të implementojmë ekonominë e tregut, sepse rregullat e lojës që do të duhet të ishin rregullatorë, sot nuk rregullojnë ekonominë e tregut. Sot rregullojnë përfitimin e një, dy apo disa individëve të cilët përdorin këto rregulla loje për të bërë starte të pabarabarta me njëri tjetrin. E pra, ekonomia e tregut në qoftë se do të kishim një ekonomi tregu që funksiononte në masën e saj më të madhe , në mënyrën e drejtë, patjetër që nuk do të kishim patur këto probleme që kemi sot. Absolutisht jo!

Do të kishim shanse të barabarta. Në 1990 ne dolëm barazisht të varfër nga ajo c’ka kishim më përpara. E pikërisht kjo do të duhej të ishte spuntoja  që në të nisnim një jetë të re me shanse të barabarta. Jo të barabartë me njeri tjetrin por shanset t’i kishim të barabarta.

Nuk e bëmë sepse nuk arritëm dot të shkëputeshim nga mendësia që kishim ndërtuar deri atëherë ku bazuar në thënien e famshme të Orwellit te Ferma e Kafshëve, “Në një shoqëri të gjithë janë të barabartë por disa janë më të barabartë se të tjerët”. E pra ky ishte pengu të cilin ne e vuajmë edhe sot. Modeli që ndërtuam është problemi që ne kemi sot. Nuk është kjo ekonomia e tregut që ne kemi sot.

Jo, absolutisht jo! Kjo është ekonomia e individit  dhe ekonomi e individit nuk ka lidhje fare me ekonominë e tregut  sepse në ekonominë e individit, shanset janë të pabarabarta. Ne duam ekonomi tregu që shanset të jenë të barabarta dhe aty prosperon një vend. Drejtësia është ajo që sjell përfitim në çdo rast ndaj harroni çdo gje tjetër. Sa më të drejtë, sa më të sinqertë, sa më të pastër në lojë, aq me shumë ecën një vend. Sa më shumë shkelen rregullat aq më në fund e drejta” tha ai./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!