“Panik” te Milan, “kuqezinjtë” të “plagosur” në prapavijë

schedule10:36 - 31 Tetor, 2023

schedule 10:36 - 31 Tetor, 2023

“Kuqezinjtë” e Milan shpërdoruan një rast “të artë” për të siguruar 3 pikë, në elitën e futbollit italian, teksa mbrëmjen e së dielës, nuk shkuan më shumë se barazimi 2 me 2, ndaj “bluve” të Napoli, pavarësisht se pjesa e parë u mbyll në avantazhin 0 me 2, në favor të “djajve” milanezë.

Mirëpo, ky shpërdorim rezultati nuk është i vetmi “produkt” i kësaj sfide, me tekniku Stefano Pioli, që duhet të vuajë edhe 3 mungesa të tjera për sfidat në vazhdim, me 2 prej tyre që mund të jenë tepër serioze.

Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin francez, Pierre Kalulu, atë italian Marco Pellegrino, si dhe “fantazistin” amerikan të sulmit, Christian Pulisic. Ky i fundit duket të ketë qenë më me fat, pasi ka pësuar vetëm një lodhje të lehtë të muskujve dhe mund të rikthehet në fushë, që këtë fundjavë në sfidën ndaj Udinese.

Mirëpo, mbrojtësit nuk duket të jenë me shumë fat, pasi Pellegrino do të mungojë disa javë, ndërsa situata e Kalulu paraqitet akoma më e rëndë, me mbrojtësin francez që ka dëmtuar tendinën dhe në ditët e ardhshme do të vlerësohet edhe një ndërhyrje kirurgjikale, e cila nëse nuk shmanget, do ta mbajë larg fushave për të paktën 4 muaj.

Në një situatë të tillë, “djajtë” e Milan e shohin veten në vështirësi në prapavijë, aty ku pësoi dëmtim para ndeshjes me Napolin edhe veterani danez Kjaer, teksa të gatshëm janë vetëm dy titullarët Thiaw e Tomori. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!