Nga Andi Haxhiu Nationalism- studies
Ndërsa zhvilimi i mjekësisë ka ndihmuar në mënyrën se si bota po menaxhon viruset, ekziston një kërkim i vazhdueshëm për një fajtor që, pavarësisht zhvillimit të teknologjisë, rishfaqet si alternativë që ridrejton vëmendjen në kohë krize. Kur murtaja pushtoi Europën shtatë shekuj më parë, ishin hebrenjtë ata që u fajësuan për sëmundjen. Historianët argumentojnë se shumë prej tyre u masakruan për shkak të besimit kolektiv se ata po përhapnin sëmundjen përmes helmimit të puseve dhe përpjekjeve të qëllimshme për të infektuar të tjerët.
Sot, afërsisht 670 vjet më vonë, duke përdorur një retorikë përçarëse të ngjashme Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i referohet COVID-19 si virus “kinez”. Kjo retorikë stigmatizuese që etiketon “tjetrin” si një kërcënim për sigurinë kombëtare i shërben tendencave skeptike që zhvendosin diskutimet nga shkenca në politikë.
Si rezultat, shpërthimi COVID-19 ka evoluar në një alibi politike për drejtues të shumtë që e kanë përdorur atë për të riprodhuar një retorikë etno-nacionaliste që e bën demokracinë të prekshme nga agjendat autoritare, si dhe aktualizon skepticizmin drejt globalizmit, migracionit dhe pakicave etnike njëkohësisht.
Sidoqoftë, përkundër insistimit të administratës Trump për ta emëruar atë “Virus Kinez” dhe për të vazhduar këtë retorikë izoluese dhe stigmatizuese, tre anëtarë të G-7-ës e kanë hedhur poshtë këtë emërtim për shkak të kuptimit përbuzës dhe përçarës.
Që nga viti 2015, OBSH ka përditësuar mënyrën se si ka etiketuar sëmundjet, sindromat dhe infeksionet ndërsa ka inkurajuar shmangien e përfshirjes së vendeve gjeografike në emërtime si (p.sh., Sindroma e frymëmarrjes në Lindjen e Mesme ose gripi spanjoll), emrat e njerëzve (p.sh. sëmundja Chagas), emërtimet si speciet e kafshëve ose të ushqimeve (p.sh., gripi i derrit), dhe termat që nxisin panik dhe frikë në opinionin publik (fatale, e panjohur dhe epidemi).
Udhëzimet e reja për praktikat e emërtimit janë zhvilluar për të shmangur stigmatizimin e caktuar politik drejt bashkësive të ndryshme etnike dhe sektorëve ekonomikë. Sidoqoftë, edhe pas 2015-ës, përditësimi i praktikave të emërtimit nga OBSH dhe kërkimi politik për emërtimin “tjetër ” në kohë pandemie imponon një ndjenjë kolektive të sigurisë se sëmundja nuk është në mesin ‘tonë ‘, por diçka që vjen nga ‘ata’.
Pothuajse 100 vjet më parë kur Gripi Spanjoll u përhap në të gjithë Europën, emërtimi i tij stigmatizues erdhi si pasojë e pozicionit neutral të Spanjës që lejoi raportimin e mediave pa asnjë lloj censure gjatë gjithë Luftës së Parë Botërore.
Edhe pse të dhënat shkencore sugjerojnë që virusi u shfaq në një fermë derrash në Kansas ose në Kinë, Spanja jetoi me barrën e stigmatizimit sepse vendet e përfshira në luftë nuk lejuan që media të publikojë dobësitë. Nga ana tjetër, spanjollët iu referuan gripit të vitit 1918 me të njëjtën retorikë stigmatizuese që i ishte referuar virusit të njohur si “Gripi Francez”. Në mënyrë të ngjashme, gjermanët po përpiqeshin të fajësonin rusët dhe virusi u emërtua ‘Murtaja ruse’.
Duke pasur parasysh se ngjarja qëndrore në 1918 ishte Lufta e Parë Botërore, pati stimuj të shumtë midis shteteve kundërshtare që kërkonin dikë për të fajësuar.
‘Gripi Spanjoll’ ishte në kujtesën e njerëzve si emri zyrtar i pandemisë, edhe pse vetë pandemia “tërhoqi një shumëllojshmëri fajtorësh në atë kohë.
Pavarësisht se sa kohë ka kaluar dhe si kanë evoluar shoqëritë, fajësimi shërben si burim i fundit brenda retorikës politike që ndërton dallime dhe përçarje.
Si i tillë, që të ekzistojë një “Ne”, duhet të ketë një të kundërt që në këtë rast është emërtimi “Tjetër”. Prandaj, meqënëse po dëshmojnë zhvillimet e tanishme, ndarja dhe fajësimi do të mbeten një pjesë thelbësore e ligjërimit politik sepse nuk ka “ne” pa “ata”. Ky dualizëm është i domosdoshëm për të kuptuar dinamikën e pushtetit në rang kombëtar dhe ndërkombëtar sepse kuptimi i fuqisë në vetvete ekziston vetëm përmes një të kundërte relative.
Kjo do të thotë se të gjesh fajtorë në kohën e COVID-19 nuk ka të bëjë vetëm me virusin sot, por se kush do të jetë në pushtet nesër: “ne” apo “ata?”/abcnews.al