Prej pandemisë shumë prindër që i kanë fëmijët emigrantë nuk po takohen dot me ta. Shumë nga ta udhëtojë drejt vendeve fqinje edhe për vizita mjekësore apo për të blerë medikamente.
Ollga Godo së bashku me bashkëshortin e saj jetojnë në Mursi të Delvinës. Ata po e përjetojnë shumë keq pamundësinë për të takuar fëmijët e tyre që janë emigratë në Greqi. Prej pandemisë dogana e Qafë Botës nuk është hapur dhe nuk mund të shkojnë në Athinë. Siç tregojnë ata nuk kryejnë dot as vizita mjekësore.
“Mbyllja e doganës të Qafë Botës ishte katastrofë për ne. Pse? Fëmijët i kemi të gjithë andej. Andej marrim ilacet, vizitohemi. Kështu që ne na u ndërpre diçka jetikë. Çdo bëjmë ne këtej kur s’shkojmë dot tek fëmijët. S’mund të kaloj nga mali unë”, është shprehur kryefamiljari.
Ndër të tjera Ollga shprehet se e ka marrë shumë malli por nuk ka si të shkojë.
“Të hapet Qafë Bota të duhet të bien në ujdi shtetet, kryeministrat”, ka thënë ajo
Ky cift kaq mikpritës ndihet shumë I vetmuar. Edhe një bisedë me të panjohur I gëzon se ju ndryshon disi përditshmërinë.
“Sikur na përtëritët, sikur na zgjatët jetën me këtë ardhjen tuaj”.
Ollga na përcjell me lule dhe me urime të përzemërta që vetëm gjyshet mund ti shprehin kaq bukur, ndërsa bashkëshorti i saj me këshilla.
“Ju uroj fat të mirë, të keni një familje të mbrekullueshme të bëheni stërgjyshe”./abcnews.al