Pandemia mbylli gratë në shtëpi dhe zhduku 25 vite përpjekje për barazi gjinore

schedule12:42 - 26 Nëntor, 2020

schedule 12:42 - 26 Nëntor, 2020

Pandemia e koronavirusit mund të zhdukë 25 vite të arritjeve në fushën e barazisë gjinore, sipas të dhënave të reja globale nga agjencia e Kombeve të Bashkuara, UN Women, raporton The Guardian.

Gratë janë duke bërë më shumë punë shtëpiake dhe po kujdesen më tepër për familjet e tyre për shkak të ndikimit të pandemisë.

“Gjithçka për të cilën kemi punuar, këto 25 vite mund të zhduket brenda një viti”, ka deklaruar zëvendësdrejtorja ekzekutive e UN women, Anita Bhatia.

Mundësitë  për punësim dhe arsim  mund të jenë shumë më të pakta dhe gratë mund të vuajnë nga një shëndet më i dobët mendor dhe fizik.

Barra e kujdesit që ka rënë mbi gratë, paraqet një “rrezik real për t’u rikthyer në stereotipat gjinorë të viteve 1950”, deklaroi Bhatia.

Edhe para pandemisë, janë bërë vlerësime në bazë të të cilave gratë punonin rreth tre të katërtat e 16 miliardë orëve të punës së papaguara, që bëhen çdo ditë në të gjithë botën.

 

Me fjalë të tjera, para koronavirusit, për çdo një orë punë të papaguar të bërë nga burrat, tre orë bëheshin nga gratë. Tani kjo shifër është më e lartë.

“Nëse ka qenë tre herë më shumë se burrat para pandemisë, unë ju siguroj që numri të paktën është dyfishuar”, ka deklaruar Bhatia.

38 hulumtimet e kryera nga UN Women kryesisht u përqendruan në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të dhënat nga vendet më të industrializuara tregojnë të njëjtën situatë.

“Më alarmante është fakti që shumë gra në të vërtetë nuk po i rikthehen punës”, tha Bhatia.

“Vetëm në muajin shtator në SHBA rreth 865,000 gra u larguan nga tregu i punës krahasuar me 200,000 burra, dhe kjo në masë të madhe mund të shpjegohet me faktin se barra e kujdesit ka rënë mbi ato,shtoi zyrtarja e OKB-së.

UN Women paralajmëron se efekti nga të pasurit më pak gra si fuqi punëtore do të jetë i tmerrshëm jo vetëm në mirëqenien e grave, por edhe në përparimin dhe pavarësinë e tyre ekonomike./abcnews.al