Pandemia, komisioneri i BE-së parashikon rënie më të madhe ekonomike gjatë verës

schedule09:29 - 8 Korrik, 2020

schedule 09:29 - 8 Korrik, 2020

Krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian parashikon që ekonomia e bllokut do të tkurret më shumë sesa pritej më parë, për shkak të pandemisë së koronavirusit, e cila, për disa muaj, ka bllokuar biznese dhe jetën publike.

Ekonomia e BE-së do të tkurret për 8.3 për qind këtë vit, dhe do të rritet  5.8 për qind në 2021, sipas parashikimit të Komisionit Europian.

“Rruga për rikuperim është ende  e pasigurt”, tha komisionari europian i Ekonomisë, Paolo Gentiloni, për gazetarët në Bruksel.

“Kjo është kryesisht e lidhur me pasigurinë epidemiologjike”, shtoi ai.

Në parashikimin e mëparshëm, të publikuar në maj, kur pjesa më e madhe e kontinentit ishte ende e izoluar, prodhimi i brendshëm bruto parashikohej  të tkurrej  rreth 7.5% këtë vit dhe të rritej për 6% vitin e ardhshëm.

Gentiloni tha se sfida më e madhe e BE-së në muajt në vazhdim do të jetë gjetja e balancës së duhur midis domosdoshmërisë për të rihapur ekonomitë e BE-së dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.

“Ne duhet të jetojmë me rrezikun e shpërthimeve lokale” që mund të çojnë në rivendosje të izolimeve lokale, të cilat e ngadalësojnë rimëkëmbjen ekonomike, tha Gentiloni.

Sidoqoftë, distancimi social  i detyrueshëm do të vazhdojë për ca kohë dhe se disa zakone mund të kenë ndryshuar për mirë. Me fjalë të tjera, ekonomia europiane po i afrohet një “normaliteti të ri”.

Ekonomitë e Francës, të Italisë dhe të Spanjës pritet të tkurren me mbi 10% para se të shënojnë një rimëkëmbje të pjesshme vitin e ardhshëm.

Gjermania, ekonomia më e madhe e Europës, duket se do të pësojë një tkurrje relativisht të butë prej 6.3% këtë vit pasuar nga një rritje prej 5.3% në vitin 2021.

Holanda dhe Polonia gjithashtu parashikohet të kenë tkurrje më pak ekstreme, thuhet në raport.

“Përgjigja e politikave në të gjithë Europën ka ndihmuar në zbutjen e goditjes për qytetarët tanë, megjithatë kjo mbetet një histori e rritjes së divergjencës, të pabarazisë dhe të pasigurisë,” tha Gentiloni.

Sipas të dhënave nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, mbi 178,000 njerëz kanë vdekur në Europë./abcnews.al