Pandemia, dy vite testi për bizneset, flet administratorja e “Evita”: Si bashkëpunuam me gjigantët botërorë, fokusi ynë në vijim

schedule16:41 - 14 Tetor, 2021

schedule 16:41 - 14 Tetor, 2021

Pandemia testoi në ekstrem kapacitetet e bizneseve në të gjithë botën duke vënë në provë burimet e tyre njerëzorë; mundësitë financiare; menaxhimin dhe qasjen ndaj konsumatorëve, etj. Kësaj nuk mund t’i shpëtonin edhe kompanitë shqiptare dhe sidomos ato që aktivitetin e kanë të fokusuar tek shërbimet shëndetësore.

Në një intervistë për “Monitor”, Elona Saraçi, administratore e kompanisë “Evita”, e fokusuar në importin e pajisjeve dhe produkteve mjekësore, shprehet se pati një rritje të beftë të kërkesës për shërbime dhe medikamente për shkak të pandemisë.

Pavarësisht situatës së krijuar në treg, Saraçi shprehet se kompania që aj drejton nuk e ka konsideruar kurrë veten si një operator i zakonshëm ekonomik, një biznes i mirëfilltë, pasi produkti apo shërbimet e ofruara shkojnë përtej të qënurit thjesht çështje numrash.

Ne jemi gjithmonë të ndërgjegjshëm që përballë nesh ose në fund të zinxhirit të “biznesit” nuk është një klient por është një pacient, është dikush që po lufton për jetën. Dhe ne besojmë që çelësi i suksesit nuk janë numrat në fund të vitit financiar por është sa pranë kemi qëndruar në këtë betejë të tyre dhe sa vendimtar ka qenë roli ynë.

Shëndeti, qoftë në kohë të zakonshme, qoftë në periudha ekstreme siç është pandemia, nuk bën dallime apo ndarje se kë prek… Dhe kur kërkojmë për të siguruar sasitë e nevojshme të një antikoagulanti, një nga barnat kryesore të Evita, nuk jemi duke kërkuar diferencën e vlerave në tabelat e financiare, por mundësinë që i japim kujtdo, një familjari, një prindi, një të riu, një të moshuari që në betejën për jetën të ketë një armë më shumë”, shprehet ajo.

“Evita” është distributor ekskluziv i Roche Diagnostics, kompani inovative dhe lider në botë në fushën e laboratorëve.  Sipas Saraçit, kërkesa për shërbimet e laboratorit ka qenë përtej të zakonshmes, veçanërisht për teste diagnostikuese për SARS‑CoV‑2 si dhe kite laboratorike për testet rutinë në ndjekien e pacientëve të infektuar me COVID-19.

Ju ftojmë të ndiqni intervistën e plotë:

Si ka qenë ecuria e kompanisë në vitin 2020?

Viti 2020 ka qenë një sfidë për të gjithë industritë, përfshirë dhe sektorin mjekësor ku kompania jonë operon. Ndër sfidat kryesore mund të përmendim shtimin e papritur të kërkesës së produkteve specifike në diagnostikimin dhe trajtimin e COVID-19, për të cilat si prodhuesit por edhe ne si distributor nuk ishim të përgatitur për kërkesën ekstreme si në sasi ashtu dhe në kohën për t’i përmbushur këto kërkesa. Gjithsesi sot ndjehemi të lumtur që nëpërmjet punës së ekipit tonë dhe mbështetjes së jashtëzakonshme nga partnerët tanë arritëm t’i përmbushnim detyrat në kohë.

Një tjetër sfidë ishte mbarëvajtja ditore operacionale në punë, pasi përgjatë këtij viti na është dashur të punojmë në kushte emergjence, me staf të reduktuar si vijim i infektimeve të vetë stafit ose familjarëve të tyre, me masa sigurie të shtuara për personelin, qoftë në ambientet e punës në kompani, por dhe në ambientet ku ofrojmë shërbim, si në ambientet spitalore apo dhe në farmaci.

Gjithashtu, angazhimi total i aparatit shtetëror në shërbimin mjekësor, si dhe vëmendja e gjithë opinionit publik mbi sektorin ku ne operojmë na ngarkon me një peshë më të rëndë për të tejkaluar mundësitë, për të siguruar burimet e nevojshme, organizimin e zinxhirit të furnizimit me partnerët dhe menaxhimin e punës përtej rutinës.

2020 ishte një vit i vështirë për shkak të pandemisë me të cilën u përball vendi. Sektori farmaceutik mori një rol të veçantë në këtë situate. Si e ndryshoi pandemia aktivitetin e Evita?

Të punosh në sektorin shëndetësor, është sfidë, pasi ndodhesh gjithë kohën nën presionin që je duke operuar në një fushë që nuk të lejon gabime, për vetë sensitivitetin që mbart ky sektor. Mbi këtë, të jesh në qendër të vëmendjes si në këto kohë të vështira, të shton alertin në operativitetin tënd ditor.

Në Evita, nuk e kemi konsideruar kurrë veten si një operator i zakonshëm ekonomik, një biznes i mirëfilltë, pasi produkti apo shërbimi që ne ofrojmë është përtej të qenurit një shkëmbim numrash apo vlerash. Ne jemi gjithmonë të ndërgjegjshëm që përballë nesh ose në fund të zinxhirit të “biznesit” nuk është një klient por është një pacient, është dikush që po lufton për jetën. Dhe ne besojmë që çelësi i suksesit nuk janë numrat në fund të vitit financiar por është sa pranë kemi qëndruar në këtë betejë të tyre dhe sa vendimtar ka qenë roli ynë.

Shëndeti, qoftë në kohë të zakonshme, qoftë në periudha ekstreme siç është pandemia, nuk bën dallime apo ndarje se kë prek… Dhe kur kërkojmë për të siguruar sasitë e nevojshme të një antikoagulanti, një nga barnat kryesore të Evita, nuk jemi duke kërkuar diferencën e vlerave në tabelat e financiare, por mundësinë që i japim kujtdo, një familjari, një prindi, një të riu, një të moshuari që në betejën për jetën të ketë një armë më shumë.

Dhe ne shpresojmë t’ia kemi dalë…

Nëse mund të bëni një vlerësim, cilat ishin barnat që kishin përdorimin më të gjerë nga popullata gjatë pandemisë?

Për trajtimin e COVID-19 përshkrimin më të lartë nga mjekët e kanë patur barnat antivirale, antibiotikët, kortizonikët, vitaminat si dhe antikoagulantët. Në Evita përfaqësojmë disa nga kompanitë më prestigjioze inovatore të prodhimit të antikoagulantëve si Sanofi dhe Leo Pharmaceuticals.

Përveç medikamenteve, ju jeni të pranishëm dhe në aparaturat mjekësore dhe laboratorët. Si ka qenë ecuria e këtij segmenti?

Evita është distributor ekskluziv i Roche Diagnostics, kompani inovative dhe lider në botë në fushën e laboratorëve. Kërkesa për shërbimet e laboratorit ka qenë përtej të zakonshmes, veçanërisht për teste diagnostikuese për SARS‑CoV‑2 si dhe kite laboratorike për testet rutinë në ndjekien e pacientëve të infektuar me COVID-19. Gjithashtu kemi vënë re që përveç kërkesës së rritur nga klinikat apo qendrat laboratorike ekzistuese, ka patur dhe një numër të madh laboratorësh të rinj të ngritur gjatë vitit 2020. Mendojmë që të gjithë operatorët në tregun e laboratorëve janë përpjekur të jenë në lartësinë e duhur për të përmbushur këtë kërkese të shtuar. Kjo situatë vazhdon të mbetet e njejtë dhe përgjatë vitit 2021 dhe është një sfidë më vete plotësimi i kërkesave për instrumente, teste dhe kite laboratorike. Vlen të përmendim që me gjithë vështirësitë e vitit, stafi ynë ia doli të instalonte sistemin robotik CobasPro për herë të parë jo vetëm në vendin tonë por dhe në rajon.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Sfida jonë kryesore është mirëmbajtja e standardit të kompanisë në nivelin më të lartë bashkëkohor. Për këtë ne kujdesemi që stafi ynë të marrë trajnime të vazhdueshme nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe institucionet e cilësisë si dhe të përdorim teknologji avangarde për digjitalizimin e të gjitha procedurave operative.

Ndjekim dinamiken e zhvillimit të situates dhe punojmë që në çdo moment të jemi të përgatitur për t’ju përgjigjur nevojave të pacientëve si me shërbime ashtu dhe me produkte.

Një fokus i veçantë do të jetë në fushën e shërbimit të laboratoreve, në bashkëpunim me partnerin tonë Roche Diagnostics, për të kontribuar në ngritjen e një qendre të specializuar, e cila synon të kthehet në një qendër referente në rajon për analizat e imunohistokimise, ngarkesave virale RT PCR si dhe ato genetike.

Ne çdo ditë punojmë dhe mendojmë se si me punën, njohuritë dhe idetë tona të kontribuojmë në zhvillimin e shërbimit mjekësor në vend dhe të jemi sa më pranë pacientëve shqiptarë. /abcnews.al