Palmer: Roli amerikan në Ballkan, i fuqishëm, t’i kundërvihemi ndikimit negativ rus

schedule14:05 - 10 Maj, 2019

schedule 14:05 - 10 Maj, 2019

Zv/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Metju Palmer, deklaroi se është qëndrim i përbashkët i administratës amerikane dhe Bashkimit Evropian që Ballkani Perëndimor të ndihmohet për t’u bërë pjesë e integrimeve perëndimore. Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, zyrtari i lartë nga Uashingtoni foli edhe për ndikimin negativ të Rusisë në rajon, por edhe për Marrëveshjen e Prespës dhe nevojën që liderët e Prishtinës dhe të Beogradit të gjejnë një zgjidhje kompromise.

Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit Mattheë Palmer, ka deklaruar se është koha që liderët e Ballkanit Perëndimor të kuptojnë rolin e tyre në mënyrë që t’u prijnë vendeve të veta drejt prosperitetit në Bashkimin Evropian. Në këtë shtrirje ai ka pranuar problemet që aktualisht janë të pranishme në rajon, sikurse mes Kosovës e Serbisë, apo edhe në Bosnjë-Hercegovinë, por ka veçuar Marrëveshjen ndërmjet Shkupit dhe Athinës që zhbllokoi procesin prej një çerekshekulli të integrimit euroatlantik të Maqedonisë.

“Si një shembull vërtet të mirë për këtë, unë po përmend Marrëveshjen e Prespës që u arrit mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Ajo që tregoi Marrëveshja e Prespës është se sa i rëndësishëm është liderizmi. Komuniteti ndërkombëtar nuk e bëri këtë vetëm. Ne e mbështetëm këtë. Këtë e arritën kryeministrat Zaev dhe Tsipras dhe ministrat e Jashtëm të këtyre dy vendeve dhe të dyja palët morën përsipër një rrezik të konsiderueshëm politik. Gjetën kompromis dhe ia dolën. Hapën rrugën drejt ardhmërisë evropiane për Maqedoninë e Veriut, mbi dhjetë anëtarë të Aleancës sapo kanë ratifikuar marrëveshjen lidhur me aderimin e Maqedonisë së Veriut,”- tha Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Mattheë Palmer, duke shpehur shpresën se Këshilli i Evropës do të vendos për çeljen e negociatave dhe se nga ky shembull do të nxjerrin mësime edhe liderët nga Beogradi dhe Prishtina që përmes kompromisit të arrijnë një zgjidhje të mirë.

Mattheë Palmer është pyetur edhe për praninë amerikane, por edhe për influencën ruse në Ballkan. Ka thënë se vizioni i Amerikës dhe Evropës dallon nga ai i Rusisë:

“Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë rajon është i fuqishëm dhe do të vazhdojë të jetë i tillë. Ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar ndaj këtij rajoni. Ky është njëri ndër prioritetet e politikës sonë. Ne në këtë rajon kemi investuar shumë energji, para dhe kapital politik, prandaj do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për të ardhmen e këtij rajoni. Mendoj se vizioni i SHBA-së dhe i BE-së për këtë rajon dallon nga vizioni i Rusisë. Ne duam të shohim një rajon që funksion në bazë të rregullave, parimeve, që funksionon në përputhje me institucionet dhe me transparencë. Rusia, nga ana tjetër, ndoshta dëshiron më shumë që ta shikojë këtë rajon të ndarë, të fraksionuar, ku sundojnë tensionet. Për fat, vizioni që ndajnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian është i njëjtë si dhe vizioni i vet vendeve të Ballkanit Perëndimor të cilat duan suksesin dhe ecjen përpara, por rusët, natyrisht se do të vazhdojnë veprimtarinë e vet si deri tani dhe ndikimin e tyre negativ që patëm rastin ta shohim edhe kur është fjala për Marrëveshjen e Prespës” – ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer. /Klan Macedonia/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!