Palmer: Qëllimi i SHBA-së është një Mal i Zi pa ndikime të huaja

schedule22:08 - 7 Korrik, 2021

schedule 22:08 - 7 Korrik, 2021

Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të shohin Malin e Zi si një vend stabil, në rrugën e integrimit evropian dhe të mbrojtur nga ndërhyrjet e huaja, ka thënë zëvendësi i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, pas takimit me presidentin malazias, Millo Gjukanoviq të mërkurën (7 korrik) në Podgoricë.

Sipas një njoftimi që është bërë nga presidenca e Malit të Zi, Palmer ka thënë gjithashtu se është në interesin e SHBA-së që së bashku me Bashkimit Evropian të kontribuojnë në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa presidenti Gjukanoviq shprehu mirënjohje për një angazhim të shtuar të SHBA-së në rajon për arsye se “kjo është një mënyrë e mirë për të ulur ndikimin malinj që bartë rrezikun e destabilizimit”.

Në komunikatë nuk përmenden vendet që mund të ushtrojnë ndikim qëllimkeq në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, por vitet e fundit rajoni ka parë rritje të ndikimit rus dhe kinez përmes investimeve ekonomike dhe tash së fundi edhe përmes furnizimit me vaksina kundër koronavirusit.

Vendet e Ballkanit Perëndimor (Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina) synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, mirëpo Brukseli nuk ka treguar gatishmëri për të përshpejtuar pranimit e këtyre vendeve në bllokun 27 anëtarësh, pjesërisht edhe për shkak të mungesës së reformave në sundim të ligjit./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!