Palmer kërkon që Bosnja të shtyjë përpara reformën zgjedhore

schedule11:57 - 27 Nëntor, 2021

schedule 11:57 - 27 Nëntor, 2021

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për reformën zgjedhore në Bosnje dhe Hercegovinë, i tha Radios Evropa e Lirë se Uashingtoni e sheh “ndryshimin e kufizuar kushtetues” si një aspekt kyç të reformës para zgjedhjeve që do të mbahen në Bosnje vitin e ardhshëm.

Bosnja gjendet në një krizë të gjatë politike, pasi entiteti serb po kërcënon me ndarje dhe kroatët e Bosnjës po ankohen se janë të nënpërfaqësuar në strukturat e shtetit të ndarë etnikisht.

Zyrtarët amerikanë kanë kërkuar që reforma zgjedhore të kryhet me kohë në mënyrë që në zgjedhjet që do të mbahen tetorin e ardhshëm, të ketë pjesëmarrje më të gjerë.

“Mesazhi që ne kemi për liderët e partive të ndryshme politike dhe të tjerëve është se tani është koha për veprim”, tha për Radion Evropa e Lirëm Matthew Palmer, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për reformën zgjedhore në Bosnje.

“Të gjithë e kuptojnë natyrën e problemeve me të cilat po ballafaqohemi, të gjithë e kuptojnë natyrën e kompromiseve që janë të nevojshme dhe tani është koha për lidership, tani është koha për zgjidhje të vështira… në mënyrë që Bosnje dhe Hercegovina të ecë drejt të ardhmes evropiane”, tha Palmer më 26 nëntor, një ditë para se të qëndrojë në Bosnje.

Struktura qeverisëse e Bosnjes është e ndarë etnikisht sipas Marrëveshjes së Paqes që i dha fund luftës së viteve 1992-1995.

Marrëveshja e Dejtonit ka krijuar dy entitete në Bosnje: Republikën Sërpska të donimuar nga serbët dhe Federatën myslimane-kroate. Shteti qeveriset me struktura të ndara etnikisht dhe ka një qeveri qendrore të dobët dhe jofunksionale.

“Nuk kemi të bëjmë me negocim ndërmjet dy palëve. Kjo ka të bëjë me gjithë Bosnje dhe Hercegovinën, të ardhmen e shtetit dhe integritetit të procesit zgjedhor në mbarë shtetin. Prandaj, do të ketë shumë hisedarë”, tha Palmer.

Lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, që është anëtar i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, ka kërcënuar se serbët do të tërhiqen nga institucionet e shtetit. Ai ka injoruar shqetësimet e ndërkombëtarëve se një gjë e tillë do të nxiste konflikt në shtetin e ndarë etnikisht.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka ripërtërirë përpjekjet për të zgjidhur krizën përmes diplomacisë, duke punuar me partnerët evropianë dhe rajonalë që integriteti territorial i Bosnje e Hercegovinës të jetë në përputhje me Marrëveshjen e Paqes.

“Një prej aspekteve kyçe që procesit të reformës zgjedhore, sipas nesh, janë ndryshimet kushtetuese të kufizuara, e të përcaktuara qartë që do të ndihmonin Bosnje dhe Hercegovinën të përmbushte obligimet e saja karshi Bashkimit Evropian dhe të respektonte rregullat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha Palmer.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe zyrtarët e BE-së kanë thënë se përfaqësimi aktual në Bosnje, i përcaktuar etnikisht, është problematik./REL