Pallatit i del pronari, banorëve u kërkohet të dalin nga banesat

schedule23:29 - 23 Dhjetor, 2022

schedule 23:29 - 23 Dhjetor, 2022

Nga Gerta Vasku

Banorëve të këtij pallati tre katësh pranë shkollës “Petro Nini” në Tiranë u është kërkuar të dalin nga apartamentet ku jetojnë prej 40 vitesh. Sipas një vendimi të këshillit të ministrave të vitit 2013 trualli ku është ndërtuar ky objekt do t’i kthehet pronarit.

Përmbarimi mbërriti mëngjesin e së premtes për të ekzekutuar vendimin për lirimin e objektit. Por hasën në rezistencën e 7 familjeve që banojnë aktualisht  në pallat. Një moment pati edhe përplasje me forcat e policisë.

Këta banorë janë lajmëruar 3 javë më pare që të lirojnë shtëpitë e tyre, por thonë se nuk kanë ku të strehohen.

“Ne kemi paguar qira, nuk e kemi pas shtëpi private. Kjo ishte godine shtetërore.  Shteti nuk na njeh si pronar sepse nuk kemi certifikate pronësie. Kemi mbi 20 vjet ne gjyqe”, u shprehën banorët.

Në orët e pasdites disa prej banorëve pranuan të largohen, duke hequr sendet nga banesat.

Banorëve u ishte komunikuar me herët se pallati do të shembej pasi ishte i pabanueshëm për shkak të dëmtimeve nga tërmeti i vitit 2019, por pas ballafaqimit në gjykatë ata kanë fituar çështjen.

Godina është ndërtuar nga italianët në 1941. Që  prej vitit 1980, disa familje u vendosën për të banuar aty, mbi bazën e një kontrate me shtetin, duke paguar një qira mujore.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!