Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel denoncoi të hënën “mungesën e besimit” dhe “errësirën” nga ana e Shteteve të Bashkuara në krizën e nëndetëseve që i ka sjellë ata në konflikt me Francën.
Bashkimi Evropian po kërkon “sqarime” nga Uashingtoni për “të kuptuar më mirë se cilat janë synimet e SHBA pas shpalljes së partneritetit të tyre strategjik me Mbretërinë e Bashkuar dhe Australinë“, sepse është e pakuptueshme” tha Michel për gazetarët në New York.
“Parimet themelore midis aleatëve janë transparenca dhe besimi, ato shkojnë së bashku. Dhe këtu, çfarë shohim? Një mungesë e qartë e transparencës, e besimit” theksoi ai.
Lexo edhe: Pakti “AUKUS”, Biden: Nuk ka Luftë të Ftohtë të re, mezi pres të flas me Macron
Njoftimi më 15 shtator i një marrëveshjeje partneriteti strategjik midis Shteteve të Bashkuara, Australisë dhe Mbretërisë së Bashkuar zemëroi Francën, e cila humbi një kontratë të madhe ekonomike për të furnizuar me nëndetëse Canberran.
Evropianëve u mbeti ndjenja se Presidenti amerikan Joe Biden i injoroi ata, ashtu si paraardhësi i tij, republikani Donald Trump.
Nën Trump, “ishte e qartë, të paktën në ton, përmbajtje, formulim, se BE nuk ishte një partner, nuk ishte një aleat i pazëvendësueshëm” shtoi Charles Michel.
“Nëse Kina është përparësia numër një për Shtetet e Bashkuara, atëherë Uashingtoni duhet të zgjedhë të forcojë marrëdhënien transatlantike në vend që ta dobësojë atë”, përfundoi ai./ db/Abcnews.al