Pakt Rama-Basha për afatin e Vettingut? PD: Bylykbashi të na thotë nëse ka informacion

schedule16:28 - 9 Tetor, 2021

schedule 16:28 - 9 Tetor, 2021

Deputeti i Partisë Demokratike, njëherësh eksperti i reformës zgjedhore, Oerd Bylykbashi ditën e sotme me anë të një postimi në rrjetet sociale publikoi sipas tij një ofertë që Partia Socialiste i ka bërë opozitës për zgjatjen e afatit të anëtarëve të vetingut.

Bylykbashi shkruan se Rama i ka ofruar PD-së që t’i shtojë disa bashki në hartë, në këmbim të votimit të zgjatjes së afatit të organeve të vetingut. Bylykbashi e quan këtë si tregti kuajsh që i ofrohet pakicës, ndërsa thekson që PD duhet të kërkojë me çdo kush ndryshimin e Kushtetutës së vendit dhe vendosjen e një sistemi të ri zgjedhor, për të prishur ndryshimet që Qeveria Rama bëri në korrik të 2020 pa konsensusin e PD-së.

Së fundmi një reagim ka ardhur nga PD. Përsa i përket zgjatjes së afatit të organeve të vettingut, burime nga Partia Demokratike theksojnë se nuk ka hyrë në asnjë diskutim apo vlerësim, as me Partinë Socialiste dhe as me partnerët, sepse nuk është në prioritetet i tyre.

“Nëse zoti Bylykbashi është kontaktuar nga Edi Rama për këtë çështje dhe i është ofruar ndonjë zgjidhje, jo vetëm duhet ta refuzojë, por duhet të informojë edhe Kryetarin e Grupit Parlamentar për këtë” shton burimi nga Selia Blu.

Burime nga PD: Reforma territoriale është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë për të marrë shërbimet që i mungojnë prej 6 vitesh, që kur Edi Rama njëanshmërisht miratoi reformën që në thelb kishte vetëm avantazhin e PS në zgjedhje. Po ashtu reforma zgjedhore duhet të nis me garantimin e votës së lirë dhe zgjedhjeve të lira, jo siç gabimisht u orientua më parë, vetëm tek kërkesa e panegociueshme e Edi Ramës për të marrë nën kontroll komisionet zgjedhore me punonjës të administratës publike, dhe që fatkeqësisht ju prezantua lidershipit të partisë si kërkesë e panegociueshme e partnerëve ndërkombëtar. Këto dy reforma janë i vetmi prioritet i Partisë Demokratike. Kjo është shpallur publikisht dhe është miratuar edhe në mbledhjen e Grupit Parlamentar.

Përsa i përket zgjatjes së afatit të organeve të vettingut, Partia Demokratike nuk ka hyrë në asnjë diskutim apo vlerësim, as me Partinë Socialiste dhe as me partnerët, sepse nuk është në prioritetet tona. Nëse zoti Bylykbashi është kontaktuar nga Edi Rama për këtë çështje dhe i është ofruar ndonjë zgjidhje, jo vetëm duhet ta refuzojë, por duhet të informojë edhe Kryetarin e Grupit Parlamentar për këtë” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!