Nga Esiona Konomi:
Votimi i Kodit Zgjedhor në Kuvend nuk shënonte dakordësinë e vetme të 5 qershorit mes palëve parlamentare dhe partive që kanë dalë jashtë Kuvendit.
Siç ka mësuar ABC News, për të plotësuar shqetësimet e opozitës, do të ndryshojnë edhe 7 ligje të tjera.
Ligjet që ndryshohen:
- Kodi i Procedurës Penale
- Kodi Penal
- Ligji për Policinë e Shtetit
- Ligji për sinjalizuesit
- Ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve
- Ligji për funksionimin e prokurorisë
- Ligji për Partitë Politike
Synimi kryesor i PD-së që ka kërkuar këto ndryshime është luftimi i shitblerjes së votës.
Për këtë, do të bëhen ndryshime Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, të cilat detyrojnë që krimet zgjedhore, si dhënia e shpërblimeve apo premtimeve dhe për të marrë ose jo pjesë në votime, pranimi i parave në këmbim të votës, apo kanosja a dhunimi i votuesve apo komisionerëve, të hetohet nga SPAK-u, dhe jo nga prokuroritë e rretheve.
Dhe që gjyqtarët e prokurorët ta marrin seriozisht hetimin e dosjeve të shitblerjes së votës apo krimeve të tjera zgjedhore, ndryshon dhe ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Aty shtohen një nen, sipas të cilit, gjatë kontrollit për vlerësimin profesional të magjistratëve përfshihet specifikisht edhe dosjet e krimit zgjedhor që ata kanë pasur në ngarkim.
Ligji për sinjalizuesit ndryshon duke detyruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të ngritur një njësi të posaçme për grumbullimin dhe verifikimin e rasteve të denoncimit që mund të vijnë direkt në KQZ, apo në zyrat rajonale në raport me shkeljet zgjedhore.
Në të njëjtën logjike, duke dashur të nxitet zbulimin e krimeve zgjedhore, në Kodin Penal, shtohet një nen i cili përjashton nga dënimi ata që kanë kryer një vepër penale, por që bashkëpunojnë me drejtësinë, duke treguar të tjerë shkelës të ligjit elektoral.
Në ligjin për funksionimin e prokurorisë përfshihen disa rregullime që detyrojnë Prokurorin e Përgjithshëm të informojë KQZ-në për ndjekjen e cështjeve që lidhen me krimin zgjedhor.
Ligji për partitë politike fshihen nenet që lejonin partitë të merrnin financim nga bizneset apo individët pa kufizim në raport me financimin shtetëror, duke lënë në fuqi parashikimet në Kodin Zgjedhor tashmë të miratuar, ku partitë nuk mund të marrin financim privat më shumë se dyfishi i financimit shtetëror.
Këto amendamente janë dakordësuar në Këshillin Politik dhe tashmë Damian Gjiknuri ka autorizimin t’i depozitojë ato në Kuvend me qëllim miratimin në Seancë Plenare./abcnews.al/