Paketa anti-krizë, Xhepa: Nuk vdes njeri për bukë në demokraci, por mungon standardi i minimumit

schedule14:06 - 29 Shtator, 2022

schedule 14:06 - 29 Shtator, 2022

Për profesorin e ekonomisë Selami Xhepa, nga paketa anti-krizë e miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë Rama, përfiton vetëm 10 përqind e popullatës, ndërkohë që varfëria është ekstreme, dhe përfshin gati 1/3 e popullsisë.

Duke diskutuar në studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri, profesor Xhepa u shpreh që edhe në rastin e pensioneve, ulja është shumë e vogël dhe e pakonsiderueshme sepse vetë pensionet janë të ulëta dhe rritja është vetëm me 6 përqind, dhe me këtë rritje nuk mund të luftohet inflacioni. Nuk bëhet fjalë për ‘zinë e bukës’ sepse në demokraci nuk vdes njeri për bukë, dhe kjo gjë ka ndodhur më shumë gjatë proceseve të kolektivizimit në Rusi apo në Kinë, por për ruajtjen e një minimumi jetik.

Sipas profesorit Selami Xhepa, në produktet e shportës dhe për medikamentet rritja mendohet se është diku në 30 -35 përqind, dhe disa grupe të shoqërisë po goditen shumë fort nga inflacioni.

Për këtë arsye, sipas tij, ‘në një moment të dytë duhet të jepet një ndihmë e përkohshme për festat e nëntorit, si dhe gjatë fundit të vitit’. Buxheti i shtetit për prof. Xhepën ka marrë shumë para nga xhepat e qytetarëve, ndërkohë që konsumi i qytetarëve ka rënë nga inflacioni, kështu që shteti ka para në dispozicion për t’ua shpërndarë shtresave të shoqërisë më në nevojë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!