Pak orë para zgjedhjeve në PD, Harxhi ankohet për listën: Ende s’e di kush ka të drejtë vote

schedule17:34 - 12 Qershor, 2021

schedule 17:34 - 12 Qershor, 2021

Kandidatja për kryetare të Partisë Demokratike, Edit Harxhi akuzon selinë blu se nuk i kanë vendosur në dispozicion listën e anëtarëve të partisë që kanë të drejtë që të shprehin nesër vullnetin e tyre për liderin e partisë për 4 vitet e ardhshme.

Në vijim të sa u njoftua gjatë mbledhjes së djeshme, dt. 11 qershor 2021, të Komisionit Zgjedhor të Partisë Demokratike, lidhur me organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjes për kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, konstatoj me shqetësim se:

  1. Përfaqësuesit e kandidatëve për kryetar, përfshirë dhe përfaqësuesin tim si audit i të dhënave kompjuterike, z. Irel Elezi, nuk janë lejuar të kontrollojnë në sistem listën e antarësisë, me të cilën do votohet në dt. 13 qershor 2021;
  2. Deri tani, ora 16:00 dt. 12 qershor 2021, unë, si një nga kandidatët për kryetar të Partisë Demokratike, ende nuk jam pajisur me listën e antarësisë me të drejtë vote.

Gjykoj se sa më sipër mund të ndikojë dhe të dëmtojë besueshmërinë dhe mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor. Prandaj i kërkoj kryetarit të Komisionit Zgjedhor të Partisë Demokratike, si dhe gjithë personave të tjerë përgjegjës, të marrin të gjitha masat për të mundësuar sa është vendosur dhe parashikuar nga Statuti i Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Gjithashtu i bëj thirrje të gjithë antarëve të Partisë, me të drejtë vote, që nesër, dt. 13 qershor 2021, të ushtrojnë të drejtën e tyre dhe të shprehen me vullnet të lirë për kandidatin që do t’i përfaqësojë si Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë” mbyllet reagimi i Edit Harxhit.

Në garë për postin e kryetarit të PD-së janë Lulzim Basha, Edit Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj, ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen në 13 qershor. d.b/  Abcnews.al