Shqipëria do të anëtarësohet në një tjetër platformë të pagesave të shpejta me vendet e Bashkimit Evropian dhe të rajonit, të cilat janë pjesë e SEPA. Guvernatori Gent Sejko tha se zbatimi pritet të nisë në nëntor dhe do të ofrojë pagesa, të cilat do të realizohen në kohë reale, 24 orë në ditë, 7 ditë të javës.
Ky sistem pagesash do të funksionojë me kosto minimale, duke u kursyer qytetarëve dhe bizneseve shuma të konsiderueshme.
Guvernatori Gent Sejko tha se kjo mundësi do të ulë njëkohësisht edhe përdorimin e parave cash, duke sjellë përfitime të konsiderueshme edhe për ekonominë, e cila përllogaritet të kursejë deri në 38 miliardë lekë në vit.
Me hyrjen në përdorim të TIPS Clone, pagesat elektronike në Shqipëri do të kryhen në kohë reale, duke e afruar vendin me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e shërbimeve financiare./abcnews.al


