Paditë për Teatrin, Aleanca njofton drejtësinë daneze për arkitektin: U përgjigjën në kohë rekord

schedule21:59 - 23 Shtator, 2020

schedule 21:59 - 23 Shtator, 2020

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit betejën për shembjen e godinës po e vijon edhe jashtë vendit. Në një postim në faqen zyrtare Aleanca njofton se një kopje të kallëzimit penal në SPAK për zyrtarët shqiptarë ua ka dërguar edhe institucioneve daneze.

Por përse? Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit sqaron se kopjen e kallëzimit e ka dërguar në Danimarkë me arsyetimin se sipas tyre në projektin korruptiv të ndërtimit të Teatrit të Ri është përfshirë edhe arkitekti danez Bjarke Ingels.

Aleanca thotë se autoritetet daneze të drejtësisë u kanë kthyer përgjigje në kohë rekord, teksa i kanë siguruar, po sipas tyre se do të kryejnë të gjithë hapat proceduralë konform ligjeve daneze dhe së shpejti, do të kërkojnë informacion shtesë nga pala shqiptare.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i nisi Ministrisë së Drejtësisë së Danimarkës, Prokurorit të Përgjithshëm të Danimarkës, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Penale të Danimarkës, një kopje të kallëzimit penal kundër Kryeministrit shqiptar, Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, shtetasit shqiptar Shkëlqim Fusha, që ka bërë pranë SPAK-ut, kohë më parë, me qëllim zbardhjen e të vërtetës mbi përfshirjen në projektin korruptiv të ndërtimit të Teatrit të Ri të shtetasit danez Bjarke Ingels përfaqësues i kompanisë BIG.

Me një shkrese përcjellëse i kërkuam institucioneve të drejtësisë daneze të reagonin në respektim të ligjeve që veprojnë në Mbretërinë e Danimarkës. Ndryshe nga institucionet shqiptare, që shquhen për mungesë transparencë, na mbërriti një përgjigje në kohë rekord prej institucioneve daneze në fjalë, e cila na siguron se do të kryejnë të gjithë hapat procedurialë konform ligjeve daneze dhe së shpejti, do të kërkojnë informacion shtesë  nga ne dhe organet e drejtësisë shqiptare” thotë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Kjo Aleancë ka bërë disa kallëzime në SPAK për drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar duke i akuzuar për shembjen e godinës së teatrit në 17 maj të këtij viti. db/Abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!