Padia për gjenocid ndaj Serbisë , Haxhiu: Po punohet për të kompletuar dosjen

schedule11:45 - 27 Maj, 2023

schedule 11:45 - 27 Maj, 2023

Institucionet e Kosovës janë duke punuar në përgatitjen e padisë ndaj Serbisë për gjenocid, thotë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Sipas saj, ky proces është duke u mbajtur jashtë publikut për shkak të ndjeshmërisë dhe rëndësisë së procesit.  Edhe pse ajo shprehet optimiste se një gjë e tillë do të ndodhë, njohës të çështjeve juridike konsiderojnë se Kosova e ka të pamundur për shkak të barrierave juridike.

Të njëjtit thonë për KosovaPress se është e pamundur që të dorëzohet kjo padi për shkak të pamundësisë së Kosovës që t’i kalojë pengesat formale që kanë të bëjnë me pranueshmërinë e kësaj dosje.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë se po punohet në kompletimin e kësaj dosje dhe se me të njëjtën do të merren ekspertët që janë për gjenocid.

Ditë më parë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar Kosova është afër përfundimit të padisë profesionale kundër gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës.

Konjufca pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ka thënë se për padinë ndaj Serbisë janë konsultuar edhe personat më të rëndësishëm profesional.

“Prej ditës kur është bërë ndryshimi i madh dhe ka ardhë një qeverisje e re, është punuar pandërprerë, çdo ditë, edhe sot dhe mund të konstatoj që kjo është shumë afër…nuk mund të jap muaj apo kohë të caktuar veç se e dijë që është bërë një punë e madhe deri tash, janë konsultuar edhe personat më të rëndësishëm profesional, që kanë njohuri në këtë fushë për ndërtimin e një padie profesionale kundër gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës dhe mendoj që është bërë një punë e mirë deri tash, është afër por për të gjitha hollësitë ua shtroni pyetjen Qeverisë“, pati deklaruar ai.

Për padinë ndaj Serbisë për krime lufte në Kosovë, pati folur edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahri

“Sikur shumë procese tjera jotransparence as për këtë nuk e dimë asgjë sepse nuk kemi qenë të involvuar dhe nuk e dimë as kjo shumë afër çka nënkupton, ku janë afër, çka është përgatit, kush janë ato ekipe që kanë punuar dhe thjesht nëse janë shumë afër mund të them se është një lajm i mirë“, tha ai.

Në vitin 1999, ndaj Serbisë kishte ngritur padi Kroacia për gjenocid gjatë luftës 1991-1995. Serbia kishte paraqitur kundër-padi me pretendimin se rreth 200 mijë serbë etnikë janë detyruar të zhvendosen, në kohën kur Kroacia kishte filluar një operacion ushtarak. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në vitin 2015, kishte vendosur se as Serbia, e as Kroacia nuk kanë kryer gjenocid.

Ndërkaq, GjND në vitin 2007 kishte konstatuar se vrasjet e rreth myslimanëve të Bosnjë e Hercegovinës në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid, por që nuk kishte prova të mjaftueshme se kishte përgjegjësi të drejtpërdrejt për këtë./KosovaPress

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!