Juventusi nën akuzë dhe shkak bëhet shkelja e Protokollit Sanitar. Autoriteti shëndetësor në Torino ka reaguar menjëherë, pasi disa prej futbollistëve të bardhezinjve kanë lënë izolimin dhe janë bashkuar me kombëtaret e tyre.
Te Juventusi kanë dalë dy pjesëtarë të stafit pozitivë para pak ditësh. Sipas protokollit lojtarët duhet të izoloheshin në J Hotel dhe aty do të qëndronin për 14 ditë. gjatë kësaj periudhe lojtarët do të lejoheshin vetëm të dilnin në stërvitje dhe të paraqiteshin në ndeshje.
Kjo nuk ka ndodhur, pasi Bentancur, Cuadrado, Danilo, Dybala dhe Ronaldo janë bashkuar me kombëtaret e tyre, kurse Buffon e Demiral janë kthyer në shtëpi. Vetë drejtori i Departamentit të Parandalimit në ASL e Torinos është shprehur prokurorisë për këtë që ka ndodhur.
Mediat italiane shkruajnë se përgjegjësia është individuale dhe se pritet të ketë gjoba për futbollistët që janë larguar nga izolimi. 400 euro është gjoba që parashikohet, por problemi bëhet më i madh nëse ndonjë prej këtyre do ketë qenë i infektuar dhe do bëhet burim përhapjeje virusi. /abcnews.al