Pacolli shpall “non grata” Daçiçin: Mohoi masakrën e Reçakut

schedule13:58 - 5 Maj, 2019

schedule 13:58 - 5 Maj, 2019

Ministri i jashtëm i Kosovës ka shpallur “non grata” homologun e tij serb Ivica Daçiç, duke e cilësuar si fashist dhe ish-zëdhënës të Millosheviçit. Këtë vendim Pacolli e mori pas mohimit të masakrës së Reçakut që Daçiç bëri disa ditë më parë në një intervistë për mediat ruse.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli, shpalli person të padëshiruar duke i ndaluar hyrjen në vend, homologun e tij serb Ivica Daçiç. Këtë vendi ai e mori pasi Daçiç mohoi masakrën e Reçakut, ku u vranë nga forcat ushtarake serbe 30 gra, fëmijë e pleq në janarin e vitit 1999. Pacolli u shpreh se për sa kohë fashistët si Daçiçi nuk dënohen nuk do të ketë pajtim Kosovë-Serbi

Në një status në profilin e tij në Facebook, Pacolli shprehet se mohimi i Masakrës së Reçakut nga Dacici, të cilin e ka quajtur zëdhënës të Millosheviçit, është i papranueshëm.

Më tone të ashpra zv/kryeministri i Kosovës shprehet se është i pështirë dhe absolutisht i papranueshëm mohimi i Masakrës në Recak nga ministri aktual i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili shërbeu si zëdhënës i partisë së Millosheviçit në vitet ’90. “Zëdhënësi i Millosheviçit vazhdimisht ofendon viktimat, familjaret e tyre dhe mohon vrasjet masive dhe gjenocidin në Kosovë nga regjimi që ai i shërbente i përkushtuar”, shkruan Pacolli.

Ai shton se Serbia ka kryer krimet më të këqija kundër civilëve shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë në Europë që nga nazistët e Luftës së Dytë Botërore kundër hebrenjve. Sipas tij arsyeja pse Dacic mohon krimet e luftës është sepse drejtësia ndërkombëtare ka dështuar sjelljen para drejtësisë të atyre që kryen krime kundër njerëzimit në Kosovë.

Ndërkaq lidhur me deklaratat e Daçiçit dhe zyrtarëve tjerë serbë të cilët mohojnë krimet e luftës, Pacolli ka marrë vendimin që të shpallen persona të padëshiruar.

“Si Ministër i Punëve të Jashtme kam vendosur që të gjithë zyrtarët serbë që bëjnë deklarata që i mohojnë krimet e luftës të kryera në Kosovë të shpallen persona non-grata në Kosovë dhe i bëjnë thirrje Prokurorisë të marrë masa ligjore kundër tyre”, shkruan Pacolli.

Në një intervistë me “Vesti Rusia”, Daçiç shprehej ndër të tjera se ngjarjet në Reçak ishin shkaku i drejtpërdrejtë i bombardimeve të NATO’s kundër forcave serbe në Kosovë.

“Serbët ishin të lumtur kur Donald Trump fitoi zgjedhjet. Serbët e urrejnë familjen e Clintonit. Kur filluan bombardimet, Clinton, Madeleine Albright dhe Tony Blair arsyetuan në mënyrë të gabuar fillimin e krimeve dhe agresionit të forcave serbe, të cilat nuk janë të vërtetuar në gjykatën ndërkombëtare në Hagë. Ngjarjet në Reçak ishin shkaku i drejtpërdrejt i bombardimeve. Ata në mënyrë hipokrite e quajtën këtë veprim ‘Engjëlli i Mëshirës’”, u shpreh Daçiç. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!