Pacolli shkon në Hagë për të mbështetur Thaçin, e shoqërojnë Moisiu, Topi, Meidani dhe Majko

schedule16:04 - 28 Shtator, 2022

schedule 16:04 - 28 Shtator, 2022

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka iniciuar udhëtimin e përbashkët me homologët e tij shqiptarë drejt Hagës për të vizituar ish-presidentin Hashim Thaçi dhe krerët e tjerë të UÇK-së.

Bashkë me Pacollin, në aeroplanin e tij privat, u nisën edhe ish-presidentët e Shqipërisë Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, si dhe ish-kryeministri Pandeli Majko.

“Historia nuk mund të rishkruhet. UÇK është krenaria jonë kombëtare”, ka shkruar krahas fotografisë që ka shpërndarë nga Haga këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj.

Pacolli ka planifikuar t’i çojë në Hagë ish-presidentët e ish-kryeministrat e Kosovës dhe të Shqipërisë, për t’i takuar katër ish-krerët e UÇK-së, por ftesën e tij e refuzuan ish-krerët e shtetit të Kosovës.

Ish-presidentët e Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga kanë refuzuar ftesën e Pacollit. Sejdiu ditë më parë i tha Gazetës Express se nuk dëshiron të flasë, dhe se qëndrimi i tij dihet.

“Shiko, unë e kam dhënë dje një përgjigje. Nuk kam çka shtoj tjetër dhe të komentoj më shumë. […] Unë e kam dhënë një përgjigje dje dhe s’kam çfarë merrem më tepër. E kam dhënë qëndrimin tim dhe pikë. Qëndrimin tim e kam dhënë edhe në konferenca për shtyp vazhdimisht, apo në debatet që i kam mbajtur dhe i kam qëndrimet që i dini të gjithë”, ka thënë Sejdiu duke e përmendur se “prezumimi i pafajësisë është parimi themelor në drejtësi”./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!