“Pacienti anglez”:Pse Brexit po përshpejton fundin e Britanisë siç e njohim sot

schedule17:19 - 15 Mars, 2021

schedule 17:19 - 15 Mars, 2021

Dario Fabbri*

A rrezikon të ndahet Britania e Madhe?

Ky është një parashikimi realist. Le të përpiqemi të kuptojmë pozitën e skocezëve. Në vitin 2014 referendumi për pavarësi nuk fitoi për vetëm pak vota. Dhe një ndër arsyet ishte kërcënimi se Londra nuk t’i linte të hynin në Bashkimin Evropian si të pavarur.

Ai kërcënim pati efektet e veta. Por 2 vjet më vonë, ishin vetë britanikët, por pa Londrën, ata që e nxorën Skocinë nga Bashkimi Evropian. Skocezët e panë veten pa një shtet të pavarur, brenda Britanisë dhe jashtë BE-së.

Një tallje, me një kryeministër thellësisht anglez, që nuk ka asnjë ndjeshmëri ndaj provincave të tjera, ndryshe nga Tony Blair që fund të viteve 1990  nënshkroi “devolucionin”, përmes së cilit ai besonte se po shpëtonte Mbretërinë e Bashkuar.

Është një temë e përsëritur. Sipas Marrëveshjeve të së Premtes së Mirë, në rast se një shumicë katolike në Irlandën e Veriut, gjë e cila do të ndodhë brenda 15 viteve të ardhshme, rajoni i Ulsterit do të ketë të drejtën e një referendumi konsultativ për të vendosur nëse do të bashkohet apo jo me Dublin.

Në këtë këndvështrim, a e ka përshpejtuar Brexit procesin e shpërbërjes së Britanisë së Madhe?

Britanikët nuk janë ndjerë kurrë si evropianë kontinentalë. Ata nuk kanë komplekse inferioriteti ndaj të tjerëve, përkundrazi, kanë atë ndjenë e epërsisë që nganjëherë është shumë jorealiste. Basti i tyre është të përpiqen t`i mbajnë të gjithë brenda: ata do të thonë se Evropa kultivon mikro-atdhe dhe duke u shkëputur nga kontinenti ata do të donin të parandalonin që të tjerët të largoheshin.

Këto janë shtete që janë shumë të rëndësishme dhe imponuese. Katalonja është një komb i vërtetë dhe serioz, nuk është si Veneto në Itali. Por kur tentoi pavarësinë, pati një heshtje totale, edhe kur Madridi i kërkoi qeverisë katalanase një interpretim të gjerë të kushtetutës spanjolle.

Sa i përket rrezikut që është më i dukshëm gjetkë, a nuk do të ishte e tepruar po të nisnim të flisnim për “Pacientin anglez”?

Paraprakisht duhen theksuar dy gjëra. Së pari, britanikët janë një nga popujt më të aftë në planet. Para se të mendojnë nëse janë në gjendje të jetojnë pa anglezët, edhe nëse i urrejnë ata, një skocez mendon për këtë jo një herë, por 3 herë.

Gjendja e saj ekonomike nuk është e jashtëzakonshme. Nafta gati ka mbaruar, ndaj nuk kanë ndonjë perspektivë të madhe duke dalë më vete. Së dyti,është ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara. Në telefonatën e parë me Borin Johnson, Biden i tha se kufiri midis dy pjesëve irlandeze nuk mund të rikthehet.

Kjo ishte një deklaratë që e tmerroi kryeministrin. Britanikët e dinë që amerikanët nuk do të ndërhyjnë në Skoci. Por ata e kuptojnë mirë çështjen irlandeze, dhe nuk do t’i ndihmonim kurrë anglezët në këtë rast. Në një situatë si ajo në Katalonjë, SHBA do ta këshillonte Londrën të linte Ulsterin të vendoste vetë mbi fatin e tij. Në këtë kuptim, padyshim mund të flasim për “Pacientin anglez”.

Çfarë roli do të luante BE në këtë aspekt?

Në vetvete Brukseli është jo ekzistent, ai motivohet ose jo nga shtetet anëtare. Dhe unë nuk shoh mundësinë që ndonjë shtet anëtar të sulmojë Anglinë për të mbështetur kauzën skoceze. Ata mund ta bëjnë këtë në prapaskenë, por jo hapur dhe përmes institucioneve të BE-së. Ashtu si me Katalonjën, askush nuk do të guxonte të hidhte gurin i pari. Spanja dhe Britania janë shumë të ngjashme:mbetjet e perandorive nuk mbijetojnë kurrë.

A është Boris Johnson një problem apo një burim i Mbretërisë së Bashkuar?

Është një problem, pasi është shumë anglez në kuptimin kolonial të fjalës. Ai ka një prejardhje aristokratike, 5 apo 6 emra. Ata janë kombe me prejardhje të ndryshme:anglezët janë gjermanikë, ndërsa skocezët keltë. Saksonët që mbërritën në ishull i konsideronin keltët si primitivë.

Është një trashëgimi e lashtë, të cilën e ruajnë ende familjet aristokrate. Pastaj është të qenit brutal:Xhonson e ka këtë kufizim të madh, kur i ndien ambiciet autonomiste i konsideron të papranueshme sepse vijnë nga popuj inferiorë. Ai është shumë inteligjent, i mprehtë dhe vërtet i kulturuar, por është i ngopur me vetveten. Është i bindur se ka të drejtë edhe atje ku gabon.

Çfarë duhet të bëjë Boris për ta parandaluar shkëputjen?

Kjo është një pyetje e vështirë. Nëse ai do të zëvendësohet nga një kryeministër më pak anglez, Mbretëria e Bashkuar do të kishte nevojë për të. Nuk e di nëse mjafton një uellsian, ndërkohë nuk ka një kryeministër Skocez që drejton konservatorët. Për të mos folur pastaj për laburistët.

Po Brexit? A e minoi ai unitetin e Mbretërisë së Bashkuar?

Deri më tani ka qenë destabilizues për unionizmin, por është ende herët. Ne që nuk e dimë dinamikën e brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, menduam se ai është një vend si çdo vend tjetër. Por problemi nuk qëndronte tek marrëdhënia me institucionet evropiane.

Ata thanë:le të shkëputemi nga kontinenti për të qëndruar kohezivë. Deri më sot, ai akt po sjell efektin e kundërt,një efekt centrifugal. Shpirti i dytë i Brexit është Britania Globale. Strategjia e Britanisë për të lehtësuar tensionet e brendshme, ka qenë gjithmonë të parit jashtë. Kjo qasje historikisht ka funksionuar.

Për shembull, në toponiminë e kolonive, si Skocia e Re. Tani për tani, ky bast po shkon keq. Por një vend si Anglia mendon në planin afatgjatë. Zakonisht, mbetja e një perandorie ka gjithnjë një fund të keq, në këtë brez apo në tjetrin. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

*Këshilltar shkencor i revistës gjeopolitike italiane “Limes”,shpjegon për “Linkiesta”arsyet pse dalja nga BE në vend se të bashkojë Skocinë, Anglinë, Uellsin dhe Irlandën e Veriut, po shkakton efektin e kundër.