Pacientët me reumatizëm që preken nga Covid nuk kanë risqe për komplikacione

schedule19:20 - 20 Nëntor, 2020

schedule 19:20 - 20 Nëntor, 2020

Nëse vuani nga sëmundje reumatizmale atëherë duhet të jenë të qetë pasi nuk riskoni që të keni më shumë komplikacione nëse  infektoheni me COVID-19. Doktoreshë Blerina Dhamo reumatologe pranë Spitalit Hygia sqaron se pas studimeve të fundit ka rezultuar se pacientët që vuajnë nga sëmundje të reumatizmës dhe marin barna frenues të sistemit imunitar  nuk kanë risk më të lartë për të qëndruar më gjatë në spital apo të humbin jetën.

“Kërkuesit shkencor studiuan gati 6 mijë pacientë për periudhën janar-qershor 2020 dhe u pa që sëmundja reumatizmale nuk i rrezikonte individët për t’u infektuar apo për komplikacione. Këta pacientë kanë të njëjtët faktorë risku siç ka popullata”, thotë mjekja.

Doktoreshë Blerina Dhamo i kërkon pacientëve që të bëjnë kujdes dhe të mos ngatërrojnë simptomat e sëmundjeve reumatizmale me ato të Covid-19 pasi janë të ngjashme si lodhje, temperaturë 37.5.

“Sëmundjet reumatizmale si shenjë kryesore kur rëndohen kanë dhimbje të muskujve apo edhe temperaturë. Pacientët vijnë menjëherë te reumantologu. Është mirë që të shtyhet vizita me reumantologun dhe të diskutohet me specialistin e këtij virusi. E rëndësishme është që të komunikohet me një mjek. Sa i përket ndërprerjes së medikamenteve që marrin pacientët për sëmundjet reumatizmale bëhen vetëm me kompetencën e mjekut reumantolog”, thotë ajo.

Duke qenë në një periudhë virozash dhe gripi doktoresha i sygjeron pacientëve që të bëjnë vaksinën e gripit çdo vit dhe njëherë në 5 vite vaksinën e pneumokokut.

“Meqenëse jemi në fushatën e vaksinimit të gripit, pacientët me sëmundje reumatizmale e kanë të domosdoshme që të vaksinohen çdo vit me vaksinën e gripit dhe njëherë në pesë vjet me vaksinën e pneumokokut”, sqaron mjekja.

Sëmundjet reumatizmale shpesh zbulohen vonë, kjo edhe për arsye të mosnjohjes së shenjave që shoqërojnë të tilla sëmundje. Sëmundjet reumatizmale prekin të gjitha organet dhe jo vetëm kyçet. Pra, shenjat e tyre mund të imitojnë shumë sëmundje të tjera, duke e drejtuar pacientin te mjekë të specialiteteve të tjera. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!