Mbrëmjen e sotme Lulzim Basha mbylli fushatën e zgjedhjeve në Tiranë. Lideri demokrat i ftoi të gjithë shqiptarët, “pa dallime politike” që të votojnë ndryshimin për një erë të re, “për Shqipërinë si gjithë Europa”. Kryedemokrati ftoi të gjithë nëpunësit e administratës, mësues, mjekë dhe punonjës policie që të bashkohen për të votuar PD-në ditën e diel.
“Për ta çuar Shqipërinë përpara në gjirin e Europës, aty do të jetë, aty ku e do rinia shqiptare. Ne jemi këtu me një zotim, me një vullnet, ndryshim, ndryshim, ndryshim për Shqipërinë. Një dimër tetë vjeçar ka edhe dy ditë për ta mbyllur, Tirana kjo vulë kryeqytetase e ndryshimit do i prijë ditën e diel pjesëmarrjes masive që në orët e para të mëngjesit, do i prijë me votë fitores më të thellë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Të dielën me votën tuaj do ta rimerrni Tiranën dhe Shqipërinë dhe fatin tuaj në duart tuaja. Bashkë për ndryshim, ne do i japim fund njëherë e mirë, arenës së shëmtuar, ku shumica e shqiptarëve, e varfëruar, poshtëruar dhe pa punë, një pakicë varfëron cdo familje.
Lexo edhe: Basha mbyll fushatën mes demokratëve në Tiranë: Ndryshimi, çështje orësh
Do i japim fund një arene të konfliktit dhe përçarjes që i shërben vetëm atij që për 8 vite nuk bëri asgjë vetëm sa u pasurua dhe grumbulloi shumë pushtet. Në këtë shesh ushtojnë zërat e demokratëve, flamurtarëve të ndryshimit. Nga ky shesh, shtëpitë dhe kudo që ndodheni, u them mirë se vini në bashkimin më të madh të cdo shqiptari dhe shqiptareje, pa dallime politike.
Dita e diel është dita e çlirimit për të gjithë ju. Ejani edhe ju nëpunës, mësues, mjekë, punonjës policie, që iu kam takuar dhe më keni thënë, me fjalë, sy dhe gjeste “na ka ardhur në majë të hundës”, të dielën shkoni dhe largojeni me votë të keqen” tha Basha.
Kandidati për kryeministër kishte një thirrje edhe për socialistët e zhgënjyer në këto 8 vite qeverisje nga Edi Rama. “Ejani të dielën t’ia kthejmë Shqipërinë shqiptarëve dhe të hapim rrugën e të ardhmes duke votuar numrin 9. Askush të mos mungojë për t’u bërë aksionerë të fitores. Rini e Shqipërisë ju jeni ata që i dhatë zemrën kësaj fushate.
Ju rindezët shpresën dhe po i prini fitores më të thellë. Fitorja para të gjithëve do të jetë e juaja, rini e mrekullueshme e popullit tim. Muzgu dhe mbrëmja kanë rënë mbi këtë shesh. Edhe katër orë fushatë. Edhe dy ditë e katër orë për t’u ndarë nga e keqja dhe për ta derdhur shpresën në kutitë e votimit. Për punën dhe mirëqenien voto numrin 9” përfundoi ai./ db/ Abcnews.al