Arsenali i propozoi lojtarëve dhe stafit teknik uljen e vjetore me 12.5% dhe u premtoi klauzola të ndryshme për t’i bindur. Trajneri Arteta, i cili fitoi luftën me koronavirusin, ishte i pari që pranoi dhe më pas e ndoqën të gjithë të tjerët, përveç tre lojtarëve. Mesut Ozil është njëri prej tyre.
Fantazisti është më i paguari i “Topçinjve”, fiton 350 mijë paund në javë dhe pak i ka justifikuar këto vite paratë që fiton. 31-vjeçari ka përfunduar në shënjestrën e mediave angleze për kundërshtimin e tij në lidhje me uljen e rrogës.
Agjenti i tij, Erkat Sogut ka sqaruar qëndrimin e Ozil në një prononcim për Mirror. “Nuk i rekomandova të ulte rrogën sot, sepse nuk e di nëse nesër kampionati do të rifillojë dhe klubet do të marrin paratë e të drejtave televizive.
Ndikimi i vërtetë financiar i kësaj krize te klubet nuk dallohet tani, por do të shihet në 3 apo 6 muajt e ardhshëm. Ulja e rrogave është një opsion, por nuk pajtohemi sot me diçka të tillë, pasi klubet ende mund të fitojnë shumën që kanë fituar në të kaluarën”, thekson Sogut. /abcnews.al