Otto John objektiv i Prishtinës, Greca me valixhe në duar

schedule17:05 - 6 Janar, 2020

schedule 17:05 - 6 Janar, 2020

Otto John, sulmuesi i Skënderbeut, nuk ka pasur hapësira të shumta te korçarët dhe në Kosovë thuajse në çdo merkato tentojnë ta bindin sulmuesin nigerianin. Prishtina raportohet se është në bisedime me të, por korçarët janë ata që vendosin.

Futbollisti 21-vjeçar dëshiron të jetë i rëndësishëm dhe në Korçë kjo duket e vështirë. Sulmuesi sivjet ka luajtur në të gjitha ndeshjet e Superiores, por vetëm pesë prej tyre i ka nisur nga fillimi. Otto John ka shënuar vetëm një gol, në sfidën e fituar në transfertë me Laçin.

Më parë ai ka shkëlqyer pikërisht në Kosovë, ku ka qenë i huazuar te skuadra e Trepça ’89. Prishtina beson se sulmuesi mund t’u bëjë punë dhe po tenton ta mbyllë me sukses marrëveshjen me Skënderbeun për transferimin e Otto John.

BEDRI GRECA – Anësori iu bashkua Gjilanit në verë, pas një eksperience te Tirana. Greca në të shkuarën ka luajtur në Superiore edhe me Flamurtarin e Kukësin, ndërkohë që mund të rikthehet sërish në elitën e futbollit shqiptar.

Ai është nën kontratë me Gjilanin, por bashkëpunimi mes tyre pritet të ndërpritet dhe të zyrtarizohet shumë shpejt. Greca ka oferta nga Superiorja dhe pritet të vendosë se ku do ta vijojë karrierën. /abcnews.al