Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti këtë të enjte në një takim Mike Turner, kryetar i Komitetit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve për Shërbimet e Inteligjencës. Zyra e shtypit e presidencës njofton se Osmani e ka falenderuar atë për mbështetjen që SHBA ka dhënë ndër vite.
Osmani ka theksuar se shteti i Kosovës është edhe histori suksesi e ShBA-ve. Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se synimi i Kosovës është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare si NATO, BE dhe Këshilli i Evropës. Presidentja Osmani është ndalur gjithashtu edhe tek zhvillimet e fundit në veri të vendit.
Sipas saj, Kosova ka bërë hapa në shtensionimin e situatës në veri dhe se vazhdon të jetë palë konstruktive në këtë proces. Ka theksuar gjithashtu edhe detyrimet e Serbisë si edhe veprimet destabilizuese në veri nëpërmjet bandave kriminale të dirigjuara nga Beogradi./abcnews.al