Osmani: Pikënisja për Asociacionin duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës

schedule17:34 - 10 Maj, 2023

schedule 17:34 - 10 Maj, 2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se pikënisja për statutin e Asociacionit duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës dhe jo propozime nga Serbia që kanë synim krijimin e një Republike serbe në Kosovë.

Në një intervistë për “Atlantic Council” në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Osmani, bëri thirrje që procesi i dialogut të mos bjerë në kurthin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilin e quajti edhe autokrat.

“Pikënisja do të duhej të ishte Kushtetuta e Kosovës dhe jo një propozim nga Serbia, që synon krijimin e një republike tjetër si ajo e Dodikut në rajonin tonë, që ka për qëllim të shkatërrimit të mëtutjeshëm dhe të na kthej të gjithëve në të 90-tat. Kjo do të duhej të refuzohej unanimisht si një model i rrezikshëm dhe mos të shihej si bazë për negociata”, theksoi Osmani.

Osmani shtoi se Kosova është e gatshme të ofrojë modele për Asociacionin, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe sistemet më të mira evropiane. Për këtë ajo tha se grupe ekspertësh po punojnë tash e një kohë të gjatë që dhjetë parimet që janë propozuar si draft-vizion më 2 maj në Bruksel, të bëhen dispozita konkrete kushtetuese dhe ligjore.

E pyetur për mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, ajo tha se duhet gjetur një rrugë për të shkuar përpara. Por, theksoi se Kisha Ortodokse në Kosovë i ka gjitha siguritë se askush nuk do t’ia prek pronat.

Ndërkaq, theksoi se nga partnerët ndërkombëtar kanë marrë garanci se Kosova do të përkrahet për t’u përfshirë në Partneritetin për Paqe në NATO. Më 2 maj, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel është prezantuar draft-statuti për Asociacionin, i përpiluar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb. Ky ekip është shkarkuar një ditë më vonë, nga autoritetet kosovare, përkatsisht nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi/KP/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!