Osmani: Nëse nuk miratohet propozimi francez vendi do të përballet me kriza të shumëfishta

schedule18:45 - 2 Korrik, 2022

schedule 18:45 - 2 Korrik, 2022

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, është shprehur sot se nëse i themi “jo” përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, do të fillojnë tensionet ndëretnike dhe do të kemi krizën më të madhe ushqimore dhe energjetike.

“Cili është argumenti i komunitetit kroat malazez për të pyetur pse nuk janë në Kushtetutë?, nuk ka asnjë argument tjetër përveç diskriminimit klasik. Është në interesin tonë që të sjellim kroatët dhe malazezët siç i ka sjellë Kroacia të gjithë, 25 komunitete! Ne nuk duhet të ushqejmë ndjenja inati ndaj të tjerëve, nuk kemi probleme të tilla që të urrejmë të tjerët, nuk mund të mos përfshijmë bullgarët në Kushtetutë, por janë vetëm 3000, janë aq sa janë, të gjithë kanë të njëjtat të drejta dhe privilegje. Ky është një propozim i mirë, i cili na hap rrugën për të kapur trenin për në BE. Nëse nuk fillojmë, Shqipëria do të fillojë negociatat, Bullgaria do të shkojë në zgjedhje, dhe kjo çështje do të ngecë, do të futemi në kriza të tjera dhe do të ikin njerëzit nga këtu. Nëse ne themi jo, nëse Shqipëria fillon negociatat, më besoni, mijëra persona do të largohen nga vendi, do të fillojnë tensionet ndëretnike, do të kemi krizën më të madhe ushqimore dhe energjetike”, tha Osmani.

Ndryshe, propozimi francez po has në rezistencë dhe mospajtim nga opozita maqedonase, pasi sipas tyre, i njëjti vendos pikëpyetje mbi identitetin, historinë dhe gjuhën. /abcnews.al/