Osmani: Nëse ka vullnet politik, në janar zgjidhet mosmarrëveshja me Sofjen

schedule18:37 - 20 Dhjetor, 2021

schedule 18:37 - 20 Dhjetor, 2021

Maqedonia e Veriut pret që në janar të vitit 2022 të ketë marrëveshje me Bullgarinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe heqjen e vetos për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në rast se do të ketë vullnet politik nga Qeveria e re bullgare, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Osmani i bëri këto deklarata teksa komentoi pritjet e zyrtarëve bullgarë për bisedime në gjashtë muajt e ardhshëm për çështjet që lidhen me ekonominë, infrastrukturën, arsimin, shëndetësisë, e sfera tjera, përskaj atyre për historinë. Osmani tha se në rast se ka vullnet politik, marrëveshja mund të arrihet qysh në janar, për të ruajtur jo vetëm besueshmërinë e BE-së, por edhe dinamikën e zhvillimit rajonal.

“Duke pasur parasysh rrjedhën e bisedimeve, afat prej gjashtë muajve është shumë i gjatë për të kapërcyer dallimet dhe shumë i gjatë për fillimin e negociatave mes BE-së dhe Maqedonisë Veriut, sepse besueshmëria e bllokut evropian nuk mund të zgjasë edhe gjashtë muaj, por dinamika rajonale vështirë se mund të mbahet me gjashtë muaj shtesë të paparashikueshëm. Nëse ka vullnet politik, janari mund të jetë mundësia e radhës për t’i kapërcyer dallimet”, deklaroi Osmani pas takimit me ministrinë e Jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto.

Shkupi dhe Sofja në kërkim të një shansi të ri për marrëveshje

Szijjarto tha nga Shkupi se “Hungaria e vlerëson si të pandershëm qëndrimin e Bashkimit Evropian për të mos caktuar datën për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”.

“Vendimi është konfuz dhe frustrues andaj edhe i bëjmë thirrje BE-së që menjëherë t’i nisë bisedimet e anëtarësimit me dy vendet”, tha Szijjarto.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se Shkupi nuk pret që korniza negociuese të miratohet pa datën për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian.

“Qëndrimi ynë është i qartë se nuk do të pranojmë më asnjë hap që do të thotë pasiguri për vazhdimin e procesit të integrimit evropian”, deklaroi Osmani.

Ndërkohë, presidenti bullgar, Rumen Radev tha të hënën se do të vazhdoj të punojë për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe mirëqenien e të gjithë bullgarëve, ndërsa paralajmëroi se në janar do të ketë mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

“Ky organ duhet të ketë qëndrim lidhur me negociatat me Maqedoninë e Veriut. Është shumë me rëndësi ta dimë se mbrojtja e të drejtave të bullgarëve maqedonas, krijimi i kushteve për përfshirjen e tyre të plotë në jetën shoqërore, politike, kulturore dhe ekonomike të vendit, janë çështje jashtëzakonisht të rëndësishme, sikur që është edhe ndalimi i gjuhës së urrejtjes”, tha Radev.

Sipas tij, “të gjitha këto janë parakushte për një lidhje më të madhe midis vendeve tona – si në aspektin kulturor, infrastrukturor ashtu edhe ekonomik”. Maqedonia e Veriut, në samitin e BE-së në nëntor të vitit 2020, nuk e mori datën për shkak të vetos bullgare. Sofja kërkonte nga Maqedonia e Veriut që të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë e saj, por kishte edhe kërkesa tjera lidhur me pakicën bullgare. Por, Qeveria e re bullgare, që drejtohet nga Kiril Petkov, ka dalë me qasje të re, duke insistuar në formimin e grupeve të punës, të cilat do të bisedonin edhe për çështje tjera, përskaj atyre të historisë. /Rel