Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është takuar me ndihmës sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Boris Ruge, gjatë qëndrimit në New York me rastin e sesionit të përvitshëm të asamblesë të përgjithshme të OKB.
Osmani ka theksuar se gjatë takimit ka nënvizuar përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO.
“Gjatë takimit, ritheksova mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në vendin tonë, si dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Kërkesa për t’u anëtarësuar ne NATO, është një kërkesë e përsëritur e Kosovës, por mesa duket për këtë nuk ka ende një vendim.
Osmani është duke qëndruar në New York ku po zhvillon punimet sesioni i 80-të i Asamblesë së Përgjithshme, ne kohen kur SHBA ka pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, me argumentin se ne Prishtine kërkon një partner të besueshëm, qe nuk vepron në mënyrë te njëanshme si kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Presidentja e Kosovës e ka shfrytëzuar vizitën përtej oqeanit edhe për t’u takuar me komunitetin shqiptar atje.
Një dalje e pati edhe në Fox News ku tha se administrata amerikane ka bërë punë të mirë në parandalimin e përshkallëzimit të situatës mes Kosovës dhe Serbisë, por theksoi se Beogradi paraqet një kërcënim të vazhdueshëm për Prishtinën.
/abcnews.al/

