Osmani: Kosova i ka dhënë përgjigje pozitive kërkesës amerikane për strehimin e afganëve

schedule14:14 - 15 Gusht, 2021

schedule 14:14 - 15 Gusht, 2021

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani,  ka reaguar  në lidhje me strehimin e afganëve në Kosovë.

Omasni përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka dhënë detaje për kërkesën e ShBA-së për strehimin e përkohshëm të afganëve, duke theksuar se për këtë çështje ishte kontaktuar në korrik nga ambasadori Kossnet. Të cilit thotë se menjëherë, pa asnjë hezitim ia ka dhënë pëlqimin, për siç e quan – operacion humanitar.

Osmani thotë se ka qenë kërkesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kjo çështje të mbetet konfideciale për arsye të sigurisë dhe të procesit të largimit të qytetarëve afganë nga Afghanistani

Ndër të tjera presidentja thotë se Qeveria e Kosovës, menjëherë pas kërkesës dhe diskutimit e dakordimit institucional, “ka formuar grupin punues që merret me cështjet organizative bashkë me partnerët tanë amerikanë”.

Postimi i saj i plotë:

Më 16 korrik, pak ditë pasi bota, e sidonomos ne në Kosovë shënuam Ditën Botërore të Refugjatëve, jam kontaktuar nga Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, i cili përcillte një kërkesë nga Presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken. Kërkesa kishte të bënte me strehimin e përkohshëm të afganëve, civilë të pafajshëm, të cilët tani ishin në shënjestër të Talibanëve, vetëm sepse kishin qëndruar në anën e aleatëve tanë, në anën e paqes e demokracisë, në anën e barazisë e të drejtësisë. Ata ishin punëtorët lokal që kishin punuar bashkë me forcat amerikane, si dhe familjet e tyre, përfshirë fëmijë.

Pa asnjë hezitim apo kushtëzim të vetëm, kam dhënë pëlqimin tim për një operacion të tillë humanitar, duke u nisur së pari nga parimi njerëzor se nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë janë të detyruar të lënë vatrat e tyre  për t’i ikur përndjekjeve dhe për të shpëtuar jetë; së dyti, për shkak se si anëtare e denjë e komunitetit të shteteve të lira, Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve; dhe e treta, për shkak se ne duhet t’u qëndrojmë miqve tanë, e sidomos Shteteve të Bashkuara në krah, ashtu sic na qëndruan ata neve në të mirë e në të keq.

Qytetarët afganë do ta kenë të kryer të gjithë vlerësimin e sigurisë nga ana e Shteteve të Bashkuara, sepse ata edhe ashtu do të qëndrojnë vetëm përkohësisht në Kosovë deri sa të rregullohet dokumentacioni i tyre për vizat e emigrimit për në SHBA ku do të vendosen pastaj. Qeveria e Kosovës, menjëherë pas kërkesës dhe diskutimit e dakordimit institucional, ka formuar grupin punues që merret me cështjet organizative bashkë me partnerët tanë amerikanë. Ka qenë kërkesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kjo çështje të mbetet konfideciale për arsye të sigurisë dhe të procesit të largimit të qytetarëve afganë nga Afghanistani. Si të tillë, ne e kemi respektuar këtë kërkesë, por punën nuk e kemi ndalur.

Të dashur qytetarë,

Askush më mirë se ne nuk e di çka do të thotë të dëbohesh e të largohesh me dhunë nga vendi ku je rritur, të ndahesh nga më të dashurit, të detyrohesh të ikësh për të shpëtuar jetën. Atëherë, shumë vende anembanë botës, hapën dyert për ne pa asnjë kërkesë e asnjë kusht. Na shpëtuan. 22 vite pas atij tmerri, tani Kosova do të dëshmojë se ne kurrë nuk e humbim njerëzoren brenda nesh.

Populli ynë i urtë thotë: ‘Shtëpia është e Zotit dhe e Mikut”. Me këtë mirëseardhje ne duhet t’i  presim miqtë tanë për të shpëtuar jetë, ashtu siç na shpëtuan ne bota demokratike, kur patëm më së shumti nevojë.

Kosova gjithnjë do të jetë në anën e humanizmit, paqes e demokracisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!