Osmani dekreton hapjen e Misionit të Kosovës në Vatikan

schedule16:51 - 12 Janar, 2024

schedule 16:51 - 12 Janar, 2024

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka dekretuar hapjen e Misionit të posaçëm të Kosovës në Vatikan.

“Ky është hap i rëndësishëm për Kosovën dhe raportet tona me Selinë e Shenjtë, të cilat do të vazhdojmë t’i thellojmë”, tha Osmani përmes një postimi në Facebook.

 

Zyrtarët në Kosovë gjatë në të kaluarën vizitave të tyre në Selinë e Shenjtë kanë thënë se synojnë të sigurojnë njohjen nga Vatikani.

“Njohja e Kosovës nga Selia e Shenjtë ndikon në fuqizimin e mëtejmë të shtetësisë sonë dhe për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike. Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në thellimin dhe avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore, si dhe në rrugën evropiane të vendit tonë”, kishte deklaruar Osmani pas një audience private në Selinë e Shenjtë me Papa Françeskun në janarin e vitit 2023.

Ndërkaq, sipas Ligjit për shërbimin e jashtëm, sa i përket misionit të posaçëm thuhet se ai është një “mision i përkohshëm, që përfaqëson Republikën e Kosovës në një shtet tjetër ose organizatë ndërkombëtare, me pëlqimin e tyre, për të negociuar ose kryer detyra të posaçme,të cilat janë në interes të Republikës së Kosovës”.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, shteti njihet nga mbi 100 shtete dhe ka misione diplomatike në vende të ndryshme të botës./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!