Ekzekutohet masa e sigurisë “arrest me burg” për tre shtetas, të cilët ishin në hetim për organizmi të lojërave të fatit në Lushnjë.
Në kuadër të operacionit “Game Over”, ranë në prangat e policisë shtetasit e moshave 34, 36 dhe 40 vjeç.
“Si rezultat i hetimeve të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, në kuadër të një procedimi penal të regjistruar para disa muajsh, në këtë Prokurori, për veprën “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin”, kryer në bashkëpunim, është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “Game Over”. Gjatë këtij operacioni, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për tre shtetasit.
Gjatë periudhës hetimore ku janë kryer një sërë veprimesh me iniciativë dhe të autorizuara nga Prokuroria dhe Gjykata, si kontrolle banesash, lokalesh, sekuestrime dhe ekspertime të pajisjeve elektronike, është dokumentuar se këta 3 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, organizonin lojëra fati në ambiente të ndryshme të qytetit të Lushnjës, me qëllim përfitimin.“, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtjeshme. /abcnews.al