Gjobë 5 milionë lekë LSI-së, u mblodh në një lokal për takim elektoral

schedule10:42 - 11 Shkurt, 2021

schedule 10:42 - 11 Shkurt, 2021

Ish-deputeti i LSI-së Endrit Braimllari është gjobitur me 5 milionë lekë të vjetra pasi organizoi aktivitet politik në ambientet e një lokali në Maliq.

Po ashtu, me një gjobë prej 1 milionë lekësh të vjetra është ndëshkuar edhe administratorja e lokalit që lejoi mbajtjen e aktivitetit. Komisariati i Policisë në Maliq u nis nga postimet e bëra në rrjetet sociale nga vetë Brahimllari.

Në fotot e postuara shihen njerëz të grumbulluar në ambientet e një lokali, disa me maska dhe disa pa maska. Ditën e djeshme është gjobitur edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ndërsa ndodhej me ekipin e LSI në Elbasan.

NJOFTIMI

Maliq

Organizoi aktivitet politik në kundërshtim me Aktin Normativ për marrjen e masave parandaluese për përhapjen e COVID-19, ndëshkohet me masë administrative 5.000.000 lekë, përfaqësuesi i një subjekti politik.

Njëkohësisht ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë, edhe administratorja e lokalit e cila lejoi zhvillimin e këtij aktiviteti.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pas konstatimit në rrjetet sociale se përfaqësuesi i një subjekti politik konkretisht shtetasi E. B., kishte organizuar dhe zhvilluar në ambientet e një lokali në qytetin e Maliqit, një aktivitet duke krijuar grumbullime personash në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, Neni 3, pika 2, e kanë ndëshkuar me masën administrative 5.000.000 lekë.

Gjithashtu është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, shtetasja Z. B., pasi lejoi zhvillimin e aktivitetit në ambientet e lokalit që ajo administron, duke shkelur Aktin Normativ.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë qytetarët, pronarët dhe administratorët e lokaleve, që të respektojnë me korrektësi masat anticovid për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!