“Organizatat terroriste u bëjnë lavazh truri të rinjve”, dënohet me burg shqiptari në Australi

schedule11:43 - 27 Qershor, 2023

schedule 11:43 - 27 Qershor, 2023

Gjykata australiane ka dënuar me burg një 34-vjeçar shqiptar, pasi ishte i radikalizuar dhe ka luftuar për grupet terroriste në Siri.

Mediat australiane shkruajnë se përveç kësaj, ai është tallur online rreth prerjes së kokave të të burgosurve.

Sipas vendimit të gjykatës shqiptari Agim Ajazi është dënuar me 8 vite e 2 muaj burgim. Ajazi u shpall i fajshëm për 3 akuza në Gjykatën Supreme në Brisbane vitin e kaluar. Në to përfshihej edhe përkrahja e terrorizmit dhe pjesëmarrja në aktivitete armiqësore në një vend të huaj.

Ndërkohë një muaj më parë gjykata zbuloi se 34-vjeçari, i cili jetonte në Gold Coast, udhëtoi në Turqi në vitin 2013. Nga viti 2014, ai bënte kalime të rregullta në kufirin sirian për të luftuar si ushtar në beteja “jashtëzakonisht të egra”.

Ajazi e bëri këtë për një periudhë dyvjeçare me qëllim për të rrëzuar me forcë qeverinë siriane dhe për të vendosur një shtet që qeveris sipas ligjit të Sheriatit.

Edhe pse kishin të njëjtin qëllim, u pranua se Ajazi nuk ishte anëtar i ndonjë grupi specifik terrorist. Avokati i tij argumentoi se ai vetëm një herë u shoqërua me grupin Jabhat al-Nusra. Gjatë kësaj kohe, Ajazi bënte postime të rregullta në rrjetet sociale rreth prerjes së kokave të të burgosurve që kapeshin gjatë betejave. Megjithatë në asnjë moment nuk u pretendua se ai vetë ka kryer ndonjë ekzekutim.

Ajazi po ashtu inkurajonte amerikanët që të hynin në kishat ruse dhe të fillonin të prisnin koka.

Megjithatë, shqiptari ka filluar të pendohet. Ai e përshkroi sjelljen e tij në këtë kohë si për të kërkuar vëmendje dhe të papjekur dhe deklaron se organizatat terroriste janë hipokrite dhe u bëjnë lavazh truri të rinjve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!