Organizata Botërore e Tregtisë zgjedh gruan dhe afrikanen e parë në postin më të lartë

schedule07:27 - 16 Shkurt, 2021

schedule 07:27 - 16 Shkurt, 2021

Në një vendim historik, Organizata Botërore e Tregtisë ka zgjedhur gruan e parë dhe afrikanen e parë në drejtimin e organizatës.

Ekonomistja nigeriane Ngozi Okonjo-Iweala, 66 vjeç, u emërua Drejtore e Përgjithshme e OBT-së të hënën nga përfaqësuesit e 164 vendeve që përbëjnë organizatën.

Zonja Okonjo-Iweala tha gjatë një konferencë virtuale për shtyp të hënën se mezi priste të fillonte punën për reformimin e organizatës dhe modernizimin e rregullave në mënyrë të tillë që t’i përshtaten çështjeve të shekullit të 21-të.

“Ndjehem mirënjohëse për besimin që keni tek unë, jo vetëm si grua dhe afrikane, por edhe për njohuritë dhe përvojën time, dhe siç thanë disa nga ju, guximin dhe pasionin për të punuar me ju për të ndërmarrë reformat që i duhen OBT-të për të përballuar të ardhmen”, u shpreh ajo.

Zonja Okonjo-Iweala tha se një nga përparësitë e saj kryesore është të përqendrohet në çështjen e COVID-19, duke përfshirë punën me programet COVAX dhe ACT për të përshpejtuar furnizimet me vaksina në vendet e varfra.

“Ne gjithashtu inkurajojmë gjetjen e asaj që unë e quaj një mënyrë të tretë, për prodhimin e vaksinave në shumë më tepër vende ndërsa marrim masa që të mos dekurajojmë kërkimin dhe inovacionin e lidhur me të drejtat e pronës intelektuale. Pra, ky është një tjetër drejtim pune”, tha ajo.

Zgjedhja e zonjës Okonjo-Iweala si Drejtore e OBT-së u bllokua për shumë muaj sepse ish-Presidenti amerikan Donald Trump nuk e mbështeti atë, duke argumentuar se i mungonte përvoja e drejtpërdrejtë tregtare në krahasim me kandidatët e tjerë.

Administrata e zotit Biden u tërhoq nga kundërshtimi i Shteteve të Bashkuara, duke i hapur rrugën zonjës Okonjo-Iweala që të merrte postin e lartë.

Ekonomistja nigeriane ka një përvojë 25 vjeçare në Bankën Botërore, ku ka mbrojtur rritjen ekonomike në vendet e varfëra. Ajo arriti në pozicionin e dytë më të lartë të asaj organizate ndërsa ndihmoi për të mbikëqyrur 81 miliardë dollarë në financime për zhvillimin për Afrikën, Azinë Jugore, Evropën dhe Azinë Qendrore.

Zonja Okonjo-Iweala ka shërbyer gjithashtu si ministre financash e Nigerisë dhe ka ndihmuar për të ndërmjetësuar një marrëveshje në vitin 2005 për të anuluar miliarda dollarë të borxhit nigerian në Klubin e kombeve kreditore të Parisit.

Ajo ka një diplomë për ekonomi nga Universiteti i Harvardit dhe një doktoraturë për ekonominë dhe zhvillimin rajonal nga Instituti i Teknologjisë i Masaçusetsit.

Presidenti nigerian Muhammadu Buhari tha se zgjedhja e zonjës Okonjo-Iweala për të kryesuar OBT-në, i solli shumë gëzim dhe nder vendit”.

Drejtorja e re e OBT-së tha të hënën se sfidat me të cilat përballet organizata ishin të shumta dhe të ndërlikuara, por jo të pakapërcyeshme.

Përveç trajtimit të sfidave ekonomike lidhur me pandeminë e koronavirusit, drejtueses së re të OBT-së do t’i duhet gjithashtu të përballet me mosmarrëveshje tregtare afatgjata që kanë ndarë shumë vende, përfshirë konfliktin tregtar SHBA-Kinë dhe presionin për të reformuar rregullat e tregtisë./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!