Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, duke e cilësuar ish homologun e tij maqedonas Gruevski si një mik të mirë, këmbënguli se nuk do e dorëzojë atë. Sipas Orban, Gruevski aktualisht ndiqet nga Xhorxh Soros.
Viktor Orban, kryeministri i Hungarisë, i është rikthyer dhe njëherë çështjes së ish-kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski të cilit i është dhënë azil politik në vend. Duke komentuar hetimet e autoriteteve maqedonase për arratisjen e Gruevskit, kryeministri hungarez u shpreh se ai ishte miku i tij dhe nuk do ta dorëzonte në një moment që ai përndiqet nga Xhorxh Soros.
Orban ndër të tjera lavdëroi ish homologun e tij për ndihmën që i ka dhënë Hungarisë gjatë fluksit të emigrantëve nga lindja. Kreu i ekzekutivit hungarez theksoi se pa ish-kryeministrin maqedonas, do të ishte shumë e vështirë që të mbroheshin kufijtë e Hungarisë nga vala e refugjatëve.
Në intervistë për radion hungareze “Koshut”, Orban e cilësoi Gruevskin një aleat dhe mik të gjithë popullit të Hungarisë. Sipas tij, Hungaria ka strehuar njerëz të rëndësishëm dhe më parë por asnjëherë të kategorisë së Gruevskit. /abcnews.al