Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban akuzon Finlandën, duke thënë se liria e medias në këtë vend është në rrezik serioz. Në klasifikimin e 2019-ës të “Reporterëve pa Kufij” për lirinë e medias, Finlanda renditej e dyta, ndërsa Hungaria në vendin e 87.
“Të shkretët finlandezë që kanë një liri në media, e cila kërcënohet seriozisht. Gjithashtu Finlanda nuk ka një gjykatë të vërtetë kushtetuese, dhe drejtohet nga një qeveri, e cila vetëm e predikon demokracinë”.
Është kjo deklarata e kryeministrit të Hungarisë Viktor Orban, i cili nga ana tjetër shprehet se hungarezët janë shumë me fat pasi jetojnë në një vend plotësisht demokratik dhe Europa nuk arrin ta kuptojë duke dyshuar padrejtësisht.
Hungarezët aktualisht janë në vend të 87 në klasifikimin e viti 2019 të reporterëve pa kufij për sa I përket lirisë së informacionit. Kurse Finlanda është në vend të dytë pas Norvegjisë.
Por kryeministri hungarez Orban vijon të ketë dyshimet e tij. Shumë analistë në Helsink mendojnë se deklaratat e fundit të Orban lidhen me faktin se që nga 1 Korriku Finlanda mban presidencën e radhës së Këshillit Europian.
Dhe deri në Dhjetor do të drejtojë debatin për rregullin e ri që qeveria aktuale në Budapest nuk e pëlqen shumë: vendeve që nuk respektojnë rregulla të caktuara të demokracisë, kështu ka propozuar Parlamenti Europian, do i priten fondet e Bashkimit Europian.
Hungaria dhe Polonia aktualisht janë në monitorim. Por Budapesti e kundërshton diçka të tillë duke thënë se fondet nuk janë donacione bamirësie. Analistët shprehen se dhe pse Orban kundërshton me zë të lartë, 86 vendet që e ndajnë nga Helsinki në klasifikim, bëjnë të reflektosh./ABC News Albania 24/7