Kryeministri hungarez, Viktor Orban këtë të martë ka thënë se marrëdhëniet politike midis Hungarisë dhe Suedisë duhet të përmirësohen përpara se Budapesti të japë dritën jeshile që vendi nordik të anëtarësohet në NATO.
Orban këtë çështje e ka trajtuar gjatë Forumit Ekonomik të Katarit.
“Marrëdhëniet politike midis Hungarisë dhe Suedisë janë tmerrësisht të këqija,” pohoi ai. “Ne nuk duam të krijojmë konfrontime në kuadër të NATO-s”, ka thënë ai.
Budapesti reagon negativisht ndaj kritikave të Stokholmit për mënyrën se si demokracia dhe shteti i së drejtës zbatohen në Hungari. Së bashku me Turqinë, e cila po reagon ndaj kandidaturës suedeze duke akuzuar Stokholmin se nuk lufton atë që Ankaraja e quan terrorizmin kurd, Hungaria deri tani ka bllokuar anëtarësimin e Suedisë duke lejuar atë të Finlandës.
Nuk ka ende një datë se kur parlamenti hungarez do të votojë për ofertën suedeze për anëtarësim, e cila duhet të ratifikohet nga të 30 anëtarët e Aleancës. NATO do të mbajë samitin e saj të ardhshëm në korrik./abcnews.al