Optimizmi i tregut të pronave përfshin edhe bankat, kredia e re me nivelin më të lartë në pesë vjet

schedule07:09 - 16 Qershor, 2021

schedule 07:09 - 16 Qershor, 2021

Vala e re optimizmit mbi sektorin e ndërtimit duket se po përfshin edhe bankat.

Kredia e re për sektorin e ndërtimit në katër muajt e parë të këtij viti ka arritur nivelin më të lartë në pesë vitet e fundit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për katër muajt e parë të këtij viti kredia e re në sektorin e ndërtimit arriti vlerën e 8.2 miliardë lekëve, në rritje me 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kredia për ndërtimin është rritur dukshëm edhe e shprehur si peshë specifike ndaj kredisë së re dhënë për sektorin privat gjatë periudhës. Ndërtimi zinte 20.7% të kredisë së re për ndërtimin, nga 13.1% për të njëjtën periudhë të vitit 2020. Edhe e shprehur si peshë specifike kredia e re për ndërtimin ka arritur nivelin më të lartë në pesë vjet.

Ndërtimi ka qenë një sektorët kryesorë që mbështetën rritjen e kredisë, derisa në fundin e dekadës së parë të viteve 2000.

Nga ana tjetër, ky sektor rezultoi si një nga “përgjegjësit” kryesorë për rritjen e nivelit të kredive me problem të bankave, për shkak të shumë investimeve që rezultuan të gabuara ose të mbështetura në pritshmëri tejet optimiste.

Tashmë, kredia për ndërtimin po përjeton një fazë të re rritjeje, e nxitur nga zhvillimet në sektorin e pasurive të paluajtshme, sidomos në kryeqytet dhe bregdet. Mbështetur në të dhënat e INSTAT, për vitin e kaluar, vlera e lejeve për ndërtesa, përfshi rikonstruksione, ishte rreth 77 miliardë lekë, ndërsa një vit më parë kishte qenë pothuajse 81 miliardë lekë. Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja mesatare vjetore e çmimeve të pasurive të paluajtshme për vitin 2020 ishte 11.3%.

Rritja e çmimeve po inkurajon jo vetëm sipërmarrësit, por po nxit edhe më shumë bankat t’i mbështesin këto projekte. Megjithëse pjesa më e madhe e investimeve në ndërtim po financohet me burime të tjera, duket se edhe bankat tregtare po e shfrytëzojnë ecurinë e favorshme në tregun e pasurive të paluajtshme, për të zgjeruar biznesin si në financimin e këtyre investimeve, ashtu edhe në blerjen e tyre nga familjet shqiptare.

Nuk përjashtohet megjithatë që rritja e kredisë për ndërtim të jetë ndikuar pjesërisht edhe nga programi i rindërtimit apo nga investimet në infrastrukturë, përfshi edhe PPP-të.

Firmat e ndërtimit që zbatojnë projekte në kontratë me qeverinë përgjithësisht kanë gjetur mbështetjen e sektorit bankar, përfshi edhe financime në vlera të mëdha, si ato të Rrugës së Arbrit apo Rrugës së Kombit./ E.Shehu/monitor/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!