Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe përfaqësues të tjerë të opozitës vizituan banorët e Unazës së Re në Tiranë që morën ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë. Krydemokrati i siguroi se përgjgjësit e dhunës do të ndëshkohen,ndërsa banorët do të dëmshpërblehen me vlerën e tregut.
E përmbledhur në një fjali, gjithcka ndodhi në Unazën e Re sipas Lulzim Bashës është : “Skenar i planifikuar nga Edi Rama ndaj qytetarëve të pafajshëm për një projekt vjedhjeje prej 40 milionë eurosh me një kompani fantazëm.”
Por ky akt nuk do të falet nga opozita e sotme që e sheh veten nesër në krye të qeverisë.
“Të gjithë ata të përfshirë në këtë akt kriminal, shtazarak kundër qytetarëve, garantoj se do të mbajnë përgjegjësi para ligjit, nga i pari tek i fundit dhe nuk do të gëzojnë asnjë qindarkë nga 40 milionë eurot që po vjedhin bashkë me Edi Ramën për Edi Ramën, nuk do gëzojnë asnjë qindarkë të kësaj grabitje, por do të japin përgjegjësi para ligjit. Dita nuk do të vonojë kur ata të jenë para ligjit dhe të marrin dënimin e merituar nga ligji”, tha Basha.
Në spitalin e Traumës kryedemokrati vizitoi banorët e lënduar nga përballja me uniformat blu me qëllimin e vetëm: mos lejimin e prishjes së banesave të tyre. Pavarësisht planit që kjo qeveri ka ndër mend të zbatojë, shefi i opozitës i garanton se do ti shpronësojë me vlerën e tregut.
“Ne kemi një zotim politik me shkrim, e zezë mbi të bardhë. Çdo centimetër katror i pronës së tyre do të kompensohet me vlerën e tregut, me ardhjen e PD në pushtet. Asnjë qindarkë nuk do të humbasë, çdo cm katror i shtëpive, banesave dhe objekteve të tyre edhe atyre të përjashtuara në mënyrë kriminale nga kompensimi, do të kompensohen me vlerën e tregut”, tha Basha.
Për opozitën e Bashkuar Projekti i Unazës së re më shumë sesa ndërtimi i një rruge të re është një projekt vjedhje. Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim bën premtimin e saj se drejtësia nuk do të vonojë.
“Askush nga qeveria të mos e ëndërrojë më kot pandëshkueshmërinë, ora e të vërtetës ka ardhur dhe të vërtetat tashmë i njohin të gjithë qytetarët shqiptarë”, tha Petrit Vasili./abcnews.al