Operacioni “Golden Globe”: Kur do të bëhet kurorëzimi i mbretit Charles?

schedule12:58 - 21 Shtator, 2022

schedule 12:58 - 21 Shtator, 2022

Mbretëresha Elizabeth është varrosur pas një ceremonie madhështore dhe tani nisin përgatitjet për një tjetër moment të madh për Anglinë. Bëhet fjalë për kurorëzimin e mbretit Charles.

Sipas mediave britanike, Mbreti Charles dëshiron një kurorëzim të ulët pranverën e ardhshme që do të pasqyrojë formën e tij të re të monarkisë. Po për datën? Mund të mbahet në 70-vjetorin e kurorëzimit të nënës së tij.

Monarku i ri, i cili ditët e fundit ka drejtuar një sërë ngjarjesh për nder të nënës së tij, thuhet se po mendon ta mbajë ceremoninë më 2 qershor të vitit të ardhshëm.

“Operacioni Golden Globe”, siç quhet planifikimi për kurorëzimin e Charles, tashmë është duke u zhvilluar dhe mbreti pritet të lërë gjurmën e tij në monarki. Sipas burimeve të mediave britanike, ceremonia pritet të jetë “më e vogël dhe më pak e kushtueshme” se kurorëzimi i nënës së tij Mbretëresha Elizabeth në 1953, megjithëse do të përfshijë një festë.

Prandaj, do të jetë një mënyrë që ai t’i tregojë publikut dhe botës se si do të funksionojë në të ardhmen monarkia e tij “në shkallë më të vogël”, duke marrë gjithashtu parasysh krizën e vazhdueshme të kostos së jetesës që prek kombin.

Natyrisht, aspektet tradicionale të ceremonisë pritet të mbeten të pandryshuara, por besohet se mbreti do të përpiqet të “mbrojë diversitetin” e Mbretërisë së Bashkuar duke ftuar anëtarë të besimeve të ndryshme, duke përfshirë të krishterët, myslimanët, hebrenjtë, hindutë dhe budistët.

Pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth në Kalanë Balmoral 13 ditë më parë, operacioni Golden Globes u nis për të planifikuar kurorëzimin e djalit të saj. Ndërsa Mbretëreshës Elizabeth i duhej të priste 16 muaj për kurorëzimin e saj në vitin 1953, ajo e Charles pritet të ndodhë në një periudhë shumë më të shkurtër kohore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!