“Telekom Albania” tashmë është “ONE Telecommunications”, duke nisur kështu një epokë e re për operatorin e parë të telefonisë celulare në vendin tonë. Sipas drejtorit ekzekutiv, Emil Georgakiev ky transformim nuk do të konsistojë vetëm në ndryshimin e markës, por edhe në përmirësimin e të gjithë përvojës së klientit, cilësisë së rrjetit, konceptimit të planeve tarifore, e produkteve.
“Kemi qenë operatori i parë në tregun shqiptar, të parët që sollëm rrjetin 4G, po ashtu të parët për Volte, të parët për implementimin e standardeve më të larta në fushën e telekomunikacionit. Dhe për të qenë sërish të parët ne po ndryshojmë nga “Telekom” duke u bërë “One”. Për në “One” është simbol i shumë gjërave dhe kështu do të vazhdojë.
“One” është një kompani që synon të jetë operatori i parë në treg. Do të dëgjojmë me kujdes kërkesat e klientëve tanë dhe do t’i bëjmë shërbimet dhe produktet tona të jenë sa më të përputhshme me kërkesat e tyre.
Ne do të sigurojmë një rrjet të ri me mbulim me të mirë të ambienteve të brendshme, me një shpejtësi shumë më të lartë nga sa ofrohet deri më tani. 92 milionë euro investime që janë vënë në dispozicion të ndryshimit të rrjetit, ku deri në fund të vitit do surprizoheni me rrjetin e “One” tha Emil Georgakiev drejtori ekzekutiv i “ONE Telecommunications”.
Ndërsa aksioneri më i madh i “ONE Telecommunications”, Elvin Guri tregon se si zgjodhi këtë emër dhe foli për planet strategjike të kompanisë.
“Duhet ta pranoj që për mua ky emër ishte shumë i lehtë si zgjedhje pasi përpuqet me një ambicie time të vjetër, duhet të krijoj një kompani, duhet të kontribuoj në krijimin e një kompanie që shërben në krejt tregun shqiptar, jo një kompani të Shqipërisë dhe një kompani të Kosovës. Po punojmë fort për këtë” tha Elvin Guri, aksioneri më i madh i “ONE Telecommunications”.
Tashmë prej 11 shtatorit abonentët e “ONE Telecommunications” pa ndryshuar numër apo kartë, do të gjejnë dyqane të rimodeluara, ofertat më të mira në treg, më shumë mundësi zgjedhje për telefona e aksesorë me çmime konkurruese. ONE ju mirëpret!