Është Oklahoma, dhe pastaj pjesa tjetër e NBA-së! Ky është komenti i të përditshmes së shquar italiane, “La Gazeta delo Sport”, ndërsa skuadra me emrin Rrufeja, Thandër, po dominon një ligë ku nuk mungojnë as yjet, dhe as rivaliteti.
Nëse Europa shkëlqen me të tillë si Jokic, Doncic, Uembaniama e Adetokumbo, Amerika përgjigjet me Shej Gilgës-Aleksandrin dhe “bandën” e tij.
Fitorja e fundit ishte ndaj Minesotës, 113-105, jo edhe aq mbresëlënëse për standardet e vendosura nga Oklahoma, që mesatarisht shënon në çdo ndeshje 16.9 pikë më shumë sesa kundërshtari.
Gilgës Aleksandër shënoi 40 pikë, edhe pse përpara ndeshjes ishte në dyshim për të luajtur, sepse ishte i sëmurë.
Shtoi 6 topa në tabela, 6 asistë dhe 3 vjedhje topi. Krah tij, Hartenstein me 15 pikë e 7 topa në tabela, si dhe Çet Holmgren me 12 pikë e 9 topa në tabela.
Ishte kjo fitorja e 10-të radhazi për Oklahomën që mban vendin e parë në Konferencën Perëndimore, si dhe është skuadra më e mirë e NBA-së me bilancin 17 fitore e 1 humbje.
Vetëm katër skuadra të tjera kanë pasur një nisje të tillë në të gjithë historinë e kësaj lige. Edhe pse Entoni Eduards shënoi 31 pikë për vizitorët, kjo ishte pak.
Kampionët në fuqi të Amerikës ndoshta mendojnë të hedhin themelet për një dinasti të re, diçka që në NBA ndodh kur fiton tre tituj, siç bënin dikur Bostoni, Lejkërsat, Bullsat, San Antonio apo Golden Stejti.

